Kryeministri polak: Në Gaza po përjetohen gjëra të tmerrshme

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha se gjëra të tmerrshme po ndodhin në Gaza dhe se ata që janë përgjegjës do të duhet të përballen me pasojat, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media që mbajti kryeministri Tusk bëri deklarata lidhur me ngjarjet aktuale.
Kur u pyet nga një gazetar në lidhje me veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, Tusk tha: “Gjëra të tmerrshme po ndodhin atje dhe ata që janë përgjegjës do të duhet të përballen me pasojat”.
Sipas tij, nuk ka asnjë justifikim për atë që po ndodh. “Për vite me radhë, kam qenë dhe do të vazhdoj të jem një mbrojtës shumë i qëndrueshëm i interesave të Izraelit në luftën kundër terrorizmit. Nuk ka debat këtu. Ne të gjithë e dimë shumë mirë se fillimi i këtij konflikti ishte krimi i kryer nga Hamasi kundër popullsisë civile izraelite. Ne e dimë këtë. Ne gjithashtu e dimë se si Izraeli ka jetuar për vite me radhë nën presionin e Iranit, disa vendeve arabe dhe terroristëve, por ajo që po ndodh në Gaza është absolutisht e papranueshme”, tha Tusk.
Ai theksoi se kjo ka shkatërruar imazhin dhe përpjekjet e Izraelit.
“Krimi duhet të përmendet me emër. Siç thashë, nuk ka justifikim për vrasjen e fëmijëve ose urinë e civilëve. Ne e dimë që Hamasi është përgjegjës ose bashkëpërgjegjës për këtë, por prapëseprapë kjo nuk e justifikon në asnjë mënyrë atë që po bën Izraeli në Gaza”, deklaroi Tusk.