Kryeministri palestinez: Rindërtimi i Gazës kërkon mbështetje arabe dhe ndërkombëtare

Kryeministri palestinez: Rindërtimi i Gazës kërkon mbështetje arabe dhe ndërkombëtare

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Mustafa, deklaroi se programi i rindërtimit dhe rehabilitimit të Rripit të Gazës pas dy viteve të shkatërrimit kërkon mbështetje arabe dhe ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Në fjalimin e tij gjatë hapjes së mbledhjes së zakonshme javore të Këshillit të Ministrave, Mustafa tha se çdo kontribut ndërkombëtar duhet të jetë plotësues dhe mbështetës, pa zëvendësuar rolin e Palestinës.

Ai nënvizoi se garancia e vërtetë për sigurinë dhe paqen qëndron në mundësinë e qeverisë palestineze për të përmbushur detyrat e saj në Gaza dhe e cilësoi sigurimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin e rajonit si një përgjegjësi të madhe kombëtare dhe humanitare.

Kryeministri Mustafa theksoi se qeveria mbetet autoriteti ligjor përgjegjës për administrimin dhe qeverisjen në gjithë territorin palestinez dhe se nga krijimi i Autoritetit Palestinez në vitin 1994, ajo ka përmbushur gjithmonë detyrat e saj në Gaza, sidomos në fushat e shëndetësisë, arsimit, ujit, energjisë dhe shërbimeve komunale.

Ai gjithashtu rikujtoi fjalët e presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, sipas të cilit, përfundimi i sulmeve në Gaza duhet të çojë drejt një zgjidhjeje politike që konkretizon Shtetin Palestinez në terren.

MARKETING