Kryeministri izraelit refuzon t’i japë fund luftës, zotohet për ripushtim të plotë të Gazës

Kryeministri izraelit refuzon t’i japë fund luftës, zotohet për ripushtim të plotë të Gazës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka riafirmuar qëllimin e qeverisjes së tij për të ripushtuar plotësisht Rripin e Gazës dhe ka hedhur poshtë çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në vazhdim, transmeton Anadolu.

MARKETING

“Sigurisht se ka 20 pengje ende gjallë në Gaza dhe deri në 38 të tjerë besohet se janë vrarë”, tha Netanyahu gjatë një konference për media në zyrën e tij në Kudsin Perëndimor.

Ndërkohë, më shumë se 10.100 palestinezë mbeten të burgosur në Izrael në kushte, siç përshkruhen nga grupet e të drejtave palestineze dhe izraelite, të përfshirë në torturë, uri dhe neglizhencë mjekësore.

Netanyahu tha se Izraeli do të shqyrtojë një armëpushim të përkohshëm vetëm për të rikthyer pengjet.

“Nëse ka një mundësi për një pauzë të përkohshme në luftime për të kthyer më shumë pengje, theksoj, një pauzë të përkohshme, ne jemi të hapur për këtë”, tha Netanyahu.

Hamasi vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të liruar pengjet izraelite në këmbim të përfundimit të luftës, tërheqjes së Izraelit nga Gaza dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.

Netanyahu i ka hedhur poshtë këto kushte, në vend të kësaj ka kërkuar çarmatimin e fraksioneve palestineze të rezistencës dhe ka këmbëngulur në ripushtimin e plotë të Gazës.

Liderët e opozitës izraelite dhe familjet e pengjeve akuzojnë Netanyahun për zgjatjen e luftës për të qetësuar anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit të tij dhe për të mbrojtur pozicionin e tij politik.

“Objektivat e luftës janë të ndërlidhura dhe ne jemi të përkushtuar t’i arrijmë ato plotësisht”, tha Netanyahu.

Duke pretenduar për përparim, ai shtoi: “Kemi arritur shumë tashmë, kemi eliminuar dhjetëra mijëra militantë, kemi eliminuar komandantë të lartë të Hamasit dhe me shumë gjasa kemi vrarë (liderin e Hamasit) Mohammed Sinwar”.

Netanyahu tre ditë më parë gjithashtu tha se në koordinim me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi nisjen e një faze të re të luftës, duke iu referuar ofensivës së zgjeruar tokësore të quajtur “Operacioni Karrocat e Gideonit” në Gazën veriore dhe jugore.

“Në fund të kësaj faze, të gjitha zonat e Rripit të Gazës do të jenë nën kontrollin e sigurisë izraelite dhe Hamasi do të eliminohet plotësisht”, tha ai.

Komentet e tij vijnë derisa Izraeli po ndjek një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

MARKETING