Kryeministri izraelit propozon riemërtimin e gjen’ocidit të Gazës në “Lufta e Ringjalljes”

Kryeministri izraelit propozon riemërtimin e gjen’ocidit të Gazës në “Lufta e Ringjalljes”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu propozoi që të riemërtojë luftën e vazhdueshme gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës si “Lufta e Ringjalljes”, transmeton Anadolu.

Propozimi u bë nga kryeministri izraelit gjatë një takimi qeveritar të mbajtur për të shënuar përvjetorin e parë të luftës që ka vrarë afro 42.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur 97.300 të tjerë që nga viti i kaluar.

“Kjo është lufta për ekzistencën tonë – ‘Lufta e Ringjalljes’. Kjo është ajo që unë do të doja ta quaja këtë luftë zyrtarisht”, u tha Netanyahu ministrave të tij.

Ushtria izraelite e ka koduar luftën e Gazës si “Shpata të Hekurta”.

“Mund të ndryshoni sa më shumë emra të doni, por nuk do të ndryshoni faktin që në administrimin tuaj popullit të Izraelit i ndodhi katastrofa më e tmerrshme që nga krijimi i shtetit”, tha lideri i opozitës izraelite Yair Lapid në X.

“Nuk do të ketë ringjallje derisa të gjithë njerëzit e rrëmbyer dhe të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre. Kjo qeveri nuk është një qeveri e ringjalljes; është një qeveri e fajit”, shtoi ai.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas vitin e kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Një sondazh i ri i opinionit sot tregoi se 53 për qind e izraelitëve besojnë se është koha për t’i dhënë fund luftës së Gazës.

Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e Rripit të Gazës, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

MARKETING