Kryeministri indian për tarifat e SHBA-së: I gatshëm të paguajë çmim të rëndë

I vendosur përballë tarifave më të larta nga SHBA-ja, kryeministri indian, Narendra Modi, ka deklaruar se ai është i gatshëm të paguajë një “çmim të rëndë”, duke u zotuar se “kurrë nuk do të bëjë kompromis” me interesat e popullit të vendit të tij, transmeton Anadolu.
Reagimi i tij erdhi një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife shtesë prej 25 për qind ndaj Indisë në përgjigje ndaj vazhdimit të blerjeve të saj të naftës nga Rusia.
Me urdhrin e ri, tarifat amerikane për importet nga India arrijnë në 50 për qind, gjysma e të cilave hyjnë në fuqi duke filluar nga sot.
“Mirëqenia e fermerëve tanë është prioriteti më i lartë”, tha Modi gjatë një aktiviteti në kryeqytetin New Delhi, duke shtuar se “India kurrë nuk do të bëjë kompromis me interesat e fermerëve të saj, blegtorëve dhe peshkatarëve”.
“E di që do të duhet të paguaj një çmim personal të rëndë për këtë. Por jam i gatshëm për ta bërë”, tha Modi.
New Delhi e quajti vendimin e Trumpit për tarifa të larta “jashtëzakonisht të pafat” dhe veprimet e tij “të padrejta, të pajustifikuara dhe të paarsyeshme”.
Trump e akuzon Indinë se ka përfituar nga rishitja e naftës ruse.
Teksa India ishte ndër të parat që nisi diskutimet tregtare me SHBA-në, të dyja palët nuk kanë arritur një marrëveshje, pasi New Delhi kundërshtoi dhënien e qasjes në tregjet e saj bujqësore dhe të qumështit.
“Agjenda tarifore është në thelb të politikëbërjes së Trumpit. Nuk mendoj se ka ndonjë veçanti në mënyrën si po sillet me Indinë. Ai kërkon të arrijë një marrëveshje të favorshme për SHBA-në me Indinë. Në një farë mënyre, qasja e tij është mjaft transaksionale, të japë pak dhe të marrë shumë”, tha Abhijit Mukhopadhyay për Anadolu, këshilltar i lartë kërkimor në Fondacionin Kërkimor Chintan në New Delhi.
Tregtia mes SHBA-së dhe Indisë tejkaloi 190 miliardë dollarë vitin e kaluar, megjithatë SHBA-ja ka një deficit tregtar prej rreth 45 miliardë dollarësh me Indinë.