Kryeministri indian Modi e cilëson si “moment krenarie” operacionin kundër Pakistanit

Kryeministri indian Modi e cilëson si “moment krenarie” operacionin kundër Pakistanit

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi deklaroi se ushtria ka kryer “Operacionin Sindoor” në territorin e Pakistanit dhe këtë e përshkroi si një “moment krenarie”, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të televizionit New Delhi (NDTV), Modi në mbledhjen e kabinetit që kryesoi e quajti si “Operacioni Sindoor” sulmet ushtarake në territorin pakistanez dhe rajonin Azad Kashmir të kontrolluar nga Pakistani.

Duke e cilësuar si një “moment krenarie” operacionin Sindoor, Modi tha se ai u “realizua plotësisht, nuk u bë asnjë gabim dhe se sulmi hakmarrës përfundoi me sukses”.

Modi tha se ushtria indiane ka kryer “detyrën në nivelin më të lartë dhe me saktësinë më të madhe” dhe shtoi se ata u janë “përmbajtur në mënyrë strikte përgatitjeve”.

Sipas fjalorit në gjuhën indiane, fjala “Sindoor” do të thotë “pluhuri i kuq që vendoset në ballë nga gratë e martuara hinduse”.

– Sulmi i Indisë ndaj Pakistanit

India nisi sulme me raketa në territorin pakistanez dhe rajonin Azad Kashmir të kontrolluar nga Pakistani më 6 maj në hakmarrje për sulmin terrorist në distriktin Pahalgam më 22 prill, në të cilin u vranë 26 persona.

Ushtria indiane tha se goditi 9 objektiva, të cilat i përshkroi si “struktura terroriste” ndërsa qeveria e Islamabadit njoftoi se 6 vende civile u shënjestruan në sulme ku humbën jetën 26 persona.

Ushtria pakistaneze njoftoi se ka rrëzuar 5 avionë luftarakë gjatë sulmit indian. Qeveria e New Delhit nuk e konfirmoi këtë.

MARKETING