Kryeministri i Malit të Zi propozon ndalimin e armëve në mbarë vendin pas vrasjes së 12 personave në Cetinje

Kryeministri i Malit të Zi propozon ndalimin e armëve në mbarë vendin pas vrasjes së 12 personave në Cetinje

Autoritetet malazeze do të shqyrtojnë të gjitha opsionet për të parandaluar incidente të mëtejshme të lidhura me armët, duke përfshirë ndalimin e armëve në mbarë vendin, pasi një burrë që thuhet se kishte sulmuar me armë zjarri në qytetin e Cetinjes të mërkurën vrau të paktën 12 persona dhe plagosi rëndë katër të tjerë, tha kryeministri Milojko Spajiq.

“Në mbledhjen (e ardhshme) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ne do të shqyrtojmë urgjentisht të gjitha opsionet, duke përfshirë një ndalim të plotë të posedimit të armëve”, citohet të ketë thënë ai, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

“Armët nuk mund të jenë në rrugë dhe në duart e atyre që mund të lëndojnë të tjerët. Unë do t’i kërkoj krerëve tanë të sigurisë që nesër të ofrojnë zgjidhje konkrete për sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shtuar Spajiq.

Policia e identifikoi vrasësin si 45-vjeçarin Aco Martinoviq.

E ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq thotë se Martinoviq filloi të shtënat pasi shpërtheu një sherr në lokalin ku ai ndodhej.

Policia thotë se ai qëlloi dhe vrau pronarin e lokalit, gruan dhe fëmijët e tij, si dhe anëtarët e familjes së tij pasi u largua nga lokali.

Policia dërgoi forcat e saj speciale për të kërkuar sulmuesin në Cetinje, që ndodhet rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Podgoricë.

I dyshuari kreu vetëvrasje pasi policia e gjurmoi dhe e rrethoi, tha prokurori publik i vendit.

“Niveli i tërbimit dhe brutalitetit tregon se ndonjëherë njerëz të tillë … janë edhe më të rrezikshëm se anëtarët e bandave të organizuara kriminale”, ka thënë Sharanoviq.
Autoritetet thonë se Martinoviq ishte në bar gjatë gjithë ditës me të ftuar të tjerë kur shpërtheu përleshja.

Komisioneri i policisë Lazar Shqepanoviq theksoi se sulmuesi shkoi në shtëpi dhe u kthye në lokal me armë, duke hapur zjarr rreth orës 17:30.

Ai vrau katër persona në lokal para se të dilte jashtë dhe më pas vazhdoi të qëllonte në tre lokacione të tjera.

Ai u përpoq t’u merrte jetën katër personave të tjerë dhe më pas u largua me automjetin që përdorte, të cilin e kanë gjetur.

I dyshuari gjithashtu duket se ka pasur përplasje të mëparshme me ligjin. Në vitin 2005, ai mori një dënim me kusht për sjellje të dhunshme dhe apeloi dënimin e tij të fundit për armëmbajtje pa leje.

Të shtënat e së mërkurës ishin “tërbimi” i dytë i të shtënave gjatë një periudhe trevjeçare në Cetinje, kryeqyteti historik i Malit të Zi.

Në mesin e vitit 2022, një sulmues vrau gjithashtu 10 persona, përfshirë dy fëmijë, përpara se të neutralizohej në një përplasje kundër policisë dhe banorëve.

Vendi i vogël me rreth 650,000 banorë është i njohur për kulturën e tij të armëve, me shumë njerëz që zotërojnë armë.

MARKETING