Kryeministri i Katarit: Po përgatitet përgjigje rajonale ndaj sulmit izraelit, Netanyahu po shkel çdo ligj

Kryeministri i Katarit: Po përgatitet përgjigje rajonale ndaj sulmit izraelit, Netanyahu po shkel çdo ligj

Kryeministri i Katarit tha sot se po përgatitet një përgjigje kolektive rajonale për t’iu kundërvënë sulmit të Izraelit ndaj Dohas, duke theksuar se janë duke u zhvilluar konsultime me partnerët arabë dhe islamë, transmeton Anadolu.

“Ka një përgjigje që do të vijë nga rajoni. Kjo përgjigje është aktualisht në konsultim dhe diskutim me partnerë të tjerë në rajon”, tha Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani për CNN.

Ai konfirmoi se Doha do të mirëpresë një samit arabo-islam në ditët në vijim për të vendosur mbi masat kundër sulmit izraelit.

Kryeministri shprehu zemërim për sulmin, duke deklaruar: “Nuk kam fjalë për të shprehur sa të zemëruar jemi për një akt të tillë, ky është terror shtetëror”, tha ai.

“Jemi të tradhtuar”, shtoi Al-Thani.

Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për shkatërrimin e shpresave për pengjet në Rripin e Gazës që mbahen nga Hamasi dhe për pengimin e përpjekjeve për armëpushim.

Netanyahu “thjesht vrau çdo shpresë për ata pengje… Ai duhet të nxirret para drejtësisë… Ai po shkel çdo ligj – ai shkeli çdo ligj ndërkombëtar”, tha ai.

Udhëheqësi i Katarit shtoi se vendi i tij po e “rivlerëson” rolin e tij në çdo bisedime të ardhshme për armëpushim në Gaza pas sulmit ndaj kryeqytetit të tij.

MARKETING