Kryeministri finlandez mbështet ndalimin e përdorimit të medias sociale për fëmijët nën 15-vjeç
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo ka shprehur mbështetje për ndalimin e përdorimit të mediave sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeç, duke përmendur shqetësimet për rënien e aktivitetit fizik dhe angazhimit në hobi midis të rinjve, transmeton Anadolu.
Duke folur në një aktivitet të organizuar nga Komiteti Olimpik Finlandez të mërkurën, Orpo tha se koha e tepërt para ekranit është e lidhur drejtpërdrejt me lëvizjen dhe pjesëmarrjen e reduktuar në aktivitete rekreative midis fëmijëve dhe adoleshentëve, raportoi transmetuesi publik YLE.
“Koha e ekranit është e lidhur drejtpërdrejt me sa lëvizin dhe angazhohen fëmijët dhe të rinjtë tanë në hobi”, tha Orpo duke paralajmëruar se aktiviteti i pamjaftueshëm fizik midis të rinjve po bëhet problem gjithnjë e më serioz.
Ai e përshkroi trendin si “thellësisht shqetësues”, duke mbrojtur idenë se mediat sociale janë shfaqur si një nga pengesat kryesore që i pengojnë fëmijët të përvetësojnë stile jetese më të shëndetshme dhe më aktive.
Vërejtjet e kryeministrit finlandez vijnë ndërsa disa vende shqyrtojnë rregullore më të rrepta për aksesin e të miturve në platformat e mediave sociale. Australia kohët e fundit u bë vendi i parë që vendosi ndalim kombëtar për përdorimin e mediave sociale për ata nën 16-vjeç ndërsa vendet evropiane si Norvegjia dhe Danimarka planifikojnë kufizime të ngjashme për fëmijët nën 15-vjeç.

