Kryeministri britanik reagon ndaj sulmit rus në Kiev: Putini nuk është serioz për paqen

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, ka reaguar pas sulmeve të natës të ushtruara nga Rusia ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, dhe pjesëve të tjera të vendit.
Në një deklaratë të publikuar nga Sky News, Starmer ka dënuar fuqishëm sulmin, duke e cilësuar si një veprim brutal dhe frikacak, që vërteton sipas tij, mungesën e seriozitetit të presidentit rus Vladimir Putin për paqen.
“Jam i tmerruar nga sulmi i fundit brutal gjatë natës ndaj Kievit dhe në të gjithë Ukrainën, i cili vrau civilë dhe goditi infrastrukturën.”
Më tej, ai shtoi se ky agresion i vazhdueshëm është tregues i asaj që Putini ndjen siguri për të vepruar pa pasoja.
“Këto sulme frikacake tregojnë se Putini beson se mund të veprojë pa u ndëshkuar. Ai nuk është serioz për paqen. Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe sovranitetin e saj.”, është shprehur kryeministri britanik.