Kryediplomatja sllovene: Qeveritë që mbështetën masa’krën e Izraelit kanë dështuar
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi se qeveritë që mbështesin sulmet dhe masakrat e ushtrisë izraelite në zonat e banuara në Rripin e Gazës kanë dështuar, transmeton Anadolu.
Në intervistën e saj për Radio Televizionin Slloven, Fajon tha se vendi i saj ka bërë një hap të rëndësishëm duke e njohur Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran.
Ajo theksoi se Izraeli ka kryer shumë shkelje të të drejtave të njeriut.
“Qeveritë që mbështetën masakrën e Izraelit dështuan. Sllovenia nuk ndodhet në mesin e këtyre qeverive. Kjo qëndrueshmëri e jona gjeti jehonë të madhe në komunitetin ndërkombëtar dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për sa kohë që Izraeli të vazhdojë këtë masakër, nuk do të ketë as armëpushim dhe as lirim të pengjeve, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit në të cilën Sllovenia është pionere dhe kontribuese e madhe”, tha Fajon duke shtuar:
“Po ashtu nuk ka as edhe një dialog serioz lidhur me rregulloret në të ardhmen. Presioni ndërkombëtar duhet të vazhdojë, përndryshe mendoj se rendi botëror po kalon një provë serioze”.
Fajon deklaroi se kreu i Vatikanit, Papa Françesku i quajti sulmet e Izraelit në Gazës si një “mizori e madhe”.
Duke e përshkruar veprimin e Talib al-Abdulmohsen, i cili vrau 5 persona në një sulm me makinë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë si një “rast të jashtëzakonshëm”, Fajon tha: “Edhe partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), me të cilin autori është i lidhur, e ka të vështirë të përballet me këtë incident. Pavarësisht se autori është psikiatër dhe mjek, ai ishte person që emigroi nga Arabia Saudite. Në të njëjtën kohë ai ishte një anti-islamik në ekstrem”.
Më tej Fajon tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë përsipër rol më të guximshëm përballë ngjarjeve botërore, se aktualisht nuk është efektiv dhe ndodhet përballë rrezikut që të humbasë fuqinë e tij konkurruese.