Kryediplomatja gjermane: Gaza u përket palestinezëve, çdo plan dëbimi është i papranueshëm

Kryediplomatja gjermane: Gaza u përket palestinezëve, çdo plan dëbimi është i papranueshëm

Gjermania ka kundërshtuar me vendosmëri planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të “marrë përsipër” Gazën dhe për të rivendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera, transmeton Anadolu.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në një deklaratë tha se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet e vetmja rrugë përpara që do të sigurojë që palestinezët dhe izraelitët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.

“Është e qartë se Gaza, ashtu si Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor, i përket palestinezëve. Ato formojnë pikënisjen për një shtet të ardhshëm të Palestinës. Dëbimi i popullatës palestineze nga Gaza jo vetëm që do të ishte i papranueshëm, dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu do të çonte në vuajtje dhe urrejtje të re”, tha Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane gjithashtu theksoi se OKB-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e G7-tës vazhdimisht kanë kundërshtuar vendbanimet izraelite në territoret palestineze përmes rezolutave dhe vendimeve të tyre.

“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose të zhvendoset përgjithmonë. Nuk mund të ketë zgjidhje mbi kokat e palestinezëve”, tha ajo.

Komentet e ministres gjermane vijnë pas deklaratës së Trumpit se “SHBA-ja do të marrë përsipër Rripin e Gazës” gjatë një konference për media mbrëmë së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Trump tha se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti, me SHBA-në që do të kthejë tokën në “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Propozimi është refuzuar në mbarë botën si nga zyrtarët e OKB-së ashtu edhe nga shumë vende, përfshirë Kinën, Türkiyen, Palestinën, Arabinë Saudite, Spanjën dhe Francën.

MARKETING