Kryediplomati ukrainas: Nuk lëshojmë territor për t’u anëtarësuar në NATO!

Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e veta për të hyrë në NATO.
MARKETING
Kështu u shpreh ministri i Jashtëm në Kiev, Dmitro Kuleba, i cili theksoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg ka një pozicion të qartë lidhur me temën. Në një interviste televizive ai komentoi deklaratat e bëra pak ditë më parë nga shefi i kabinetit të Stoltenberg, Stian Jenssen, sipas të cilit Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s, në këmbim të heqjes dorë nga territoret e pushtuara aktualisht nga Rusia.
“Presidenti ka komunikuar vazhdimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke ruajtur një raport shumë të ngushtë me të. Ju siguroj se pozicioni i sekretarit të përgjithshëm është absolutisht i qartë dhe i njëjtë me Ukrainën. Nuk mund të ketë shkëmbime në territoret ukrainase”, tha Dmytro Kuleba.
E ndërsa Ukraina zgjeron rrezen e sulmeve në territorin rus, Kuleba siguron aleatët se ushtria nuk do të përdorë armët e dhuruara prej tyre për të shënjestruar objektivë në territorin rus. Edhe pse me hapa të ngadaltë, kundërofensiva e Kievit po avancon, me trupat ukrainase që kanë konsoliduar pozicionet në jug të Urozhayne në rajonin e Donjetsk, fshat të cilin e çliruan një ditë më herët.
Operacionet e kundërsulmit vijojnë në drejtim të Bahmutit, Melitopolit dhe Berdianskut. Rusia sakaq, vijon sulmet kundër porteve ukrainase.
Kievi bëri të ditur se Rusia kishte lëshuar 16 dronë “Shahed” gjatë 24 orëve të fundit, të cilat u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore. /A2news/