Kryediplomati turk thekson kontributin e Turqisë dhe Azerbajxhanit në sigurinë energjetike të Evropës
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, gjatë vizitës së tij në Baku ka deklaruar se Türkiye dhe Azerbajxhani japin kontribut të rëndësishëm në sigurinë energjetike të Evropë, raporton Anadolu.
Ministri turk u prit në takim në Baku nga homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, pas çka u adresuan në një konferencë të përbashkët për media. Më herët, Fidan u prit në takim edhe nga presidenti Ilham Aliyev.
Në konferencën për media, Fidan theksoi rëndësinë e sigurisë energjetike, si dhe “lidhjet e pathyeshme” midis kombit turk dhe azerbajxhanas, duke i cilësuar marrëdhëniet e dy vendeve si një “fat i përbashkët”.
Ministri turk gjithashtu theksoi natyrën e qëndrueshme të bashkëpunimit midis Türkiyes dhe Azerbajxhanit.
“Nëpër rrugët më të vështira mund të ecësh vetëm me vëllezërit e tu. Ky është thelbi i bashkëpunimit tonë me Azerbajxhanin. Partneriteti ynë është i pavarur nga koha dhe rrethanat… ështështë një fat i përbashkët”, tha Fidan.
Më tej, Fidan tha se “bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e energjisë dhe transportit është thelbësor, duke shtuar se kjo kontribuon ndjeshëm në sigurinë energjetike të Evropës.
– “Türkiye është e gatshme të jetë ndërmjetëse në luftën ruso-ukrainase
Më tej, ministri turk konfirmoi gatishmërinë e Türkiyes për të ndërmjetësuar në negociatat për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar rëndësinë e dialogut për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Që nga dita e parë e kemi shprehur nevojën që lufta të përfundojë me negociata sa më parë dhe jemi përpjekur në këtë drejtim. Ne mbështesim të gjitha nismat që synojnë arritjen en jë paqeje të drejtë të qëndrueshme. Nëse plotësohen kushtet e nevojshme, ne jemi të gatshëm të luajmë sërish rolin e ndërmjetësit, siç kemi bërë në të kaluarën”, tha Fidan.
Gjatë takimit, ministri turk dhe homologu i tij azerbajxhanas gjithashtu diskutuan edhe për marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Fidan theksoi rëndësinë e paqes në Kaukazin Jugor dhe përshëndeti marrëveshjen e fundit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, Fidan shprehu shpresën që armëpushimi në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit do të jetë i qëndrueshëm, duke lejuar kthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe dërgimin e papenguar të ndihmave humanitare tek populli në kushte dimri, si dhe në mungesë ushqimi dhe ilaçesh.
Fidan dhe Bayramov diskutuan edhe zgjerimin e bashkëpunimit në rajone të reja dhe forcimin e lidhjeve përmes projekteve të përbashkëta, duke riafirmuar angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm rajonal.
Fidan tha se Türkiye do të organizojë një takim tepalësh midis Türkiyes, Azerbajxhanit dhe Uzbekistanit, respektivisht midis shefave të diplomacisë, të transportit dhe të tregtisë të tre vendeve më 29 janar në Ankara.
Bayramov, nga ana e tij, përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit në Gaza.
Ministri azerbajxhanas gjithashtu tha se Türkiye dhe Azerbajxhani janë të gatshme të mbështesin plotësisht Sirinë në trasnforimin e saj në një aktor të rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar.