Kryediplomati turk takohet me delegacionin e Hamasit për planin e paqes në Gaza dhe situatën humanitare

Kryediplomati turk takohet me delegacionin e Hamasit për planin e paqes në Gaza dhe situatën humanitare

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, u takua në Stamboll me një delegacion të lëvizjes palestineze Hamas, sipas burimeve nga Ministria e Jashtme e Turqisë, transmeton Anadolu.

Në takim u trajtuan zhvillimet lidhur me fazën e dytë të planit të paqes në Gaza, situata humanitare në Gaza si dhe çështje të tjera rajonale.

Fidan e informoi delegacionin për përpjekjet diplomatike të Turqisë në platforma të ndryshme, veçanërisht përmes “Bordit të Paqes”, që synojnë mbrojtjen e të drejtave të popullit të Gazës.

Ai gjithashtu theksoi se përpjekjet e Ankarasë për të dërguar ndihmë humanitare të domosdoshme në Gaza do të vazhdojnë me vendosmëri.

Faza e dytë aktuale e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025, përfshin dispozita që bëjnë thirrje për çarmatimin e Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze, një tërheqje shtesë ushtarake izraelite nga enklava dhe nisjen e përpjekjeve për rindërtim.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli themelimin e “Bordit të Paqes” më 15 janar si pjesë e planit të tij më të gjerë për Gazën, në kuadër të të cilit u arrit marrëveshja e armëpushimit.

Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 71.600 persona, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.300 të tjerë në një ofensivë brutale që nga tetori 2023, e cila e ka lënë Gazën në rrënoja.

Pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme, duke vrarë 484 palestinezë dhe plagosur 1.321 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

MARKETING