Kryediplomati turk Fidan: Kurrë nuk duhet të ketë vend për terrorizëm në Siri
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, në një intervistë për televizionin “Asharq News” me seli në Arabinë Saudite vlerësoi zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.
Duke theksuar se ndërhyrja e tepruar e fuqive të huaja në rajon ka rezultuar në rezultate të ngjashme me ato në Siri, Fidan tha se në periudhën e re duke u bërë bashkë me vendet e rajonit si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Katari, Egjipti, Jordania dhe Iraku po përpiqen të prodhojnë një politikë që i jep përparësi më shumë stabilitetit.
“Ndryshe, kur shikojmë periudhën paraprake, ka pasur luftë, ka pasur ndarje, ka pasur jostabilitet, ka pasur miliona të zhvendosur. Fatkeqësisht, ky nuk duhet të jetë fati i gjeografisë ku jetojmë. Fati i gjeografisë ku jetojnë muslimanët, arabët, turqit dhe persët tashmë duhet të ndryshojë. Besoj se ky ndryshim ka nisur në të gjithë rajonin”, tha Fidan.
Sipas tij, administrata e re në Siri është në kërkim të koordinimit jo vetëm me Türkiyen, por edhe me të gjitha vendet, ndërsa vendi i tij është fokusuar me Ligën Arabe, vendet e Gjirit, Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI), Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe organizata të tjera rajonale dhe globale për rizhvillimin e Sirisë.
Fidan tha se SHBA-ja ka hequr një pjesë të sanksioneve ndaj Sirisë dhe shprehu shpresën që edhe BE-ja do t’i heq një pjesë në ditët në vijim.
Duke theksuar se midis Sirisë dhe Türkiyes gjendet një kufi prej 911 kilometrash, Fidan tha: “Sirianët janë vëllezërit tanë. Është gjithashtu me rëndësi jetike për ne që rajoni (Siria) të jetë natyrisht stabil, të ketë zhvillim të mirë ekonomik dhe të jetë i rregullt. Përpjekjet që po bëjmë tani si Türkiye ashtu edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, shpresojmë të japin fryte”.
– “Kurrë nuk duhet të ketë vend për terrorizëm në Siri”
Duke folur për pritjet nga administrata në Siri, Fidan theksoi: “Administrata e re në Siri nuk duhet të përbëjë më kërcënim për rajonin dhe kurrë nuk duhet t’i japë vend terrorizmit, veçanërisht DEASH-it dhe PKK-së. Trajtimi i mirë i minoriteteve në vend, formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse dhe rivendosja e plotë e integritetit territorial dhe sovranitetit politik të vendit. Ne, si komunitet ndërkombëtar dhe vende të rajonit, ramë dakord për këto kushte dhe ia përcollëm kërkesat tona administratës siriane”.
“Tani për tani, pavarësisht se cili prej nesh shkon, ne flasim për të njëjtat gjëra. Kjo është ajo që ne presim nga Siria. Në thelb, ne e prisnim këtë edhe nga regjimi i kaluar”, tha Fidan.
Ai theksoi se asnjë vend, përfshirë Türkiyen, nuk i ka bërë kërkesa specifike administratës së re dhe se ata presin një administratë dhe sjellje që do të sigurojë mirëqenien e popullit sirian dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e vendeve në rajoni.
Kryediplomati turk tha se e kanë çuar në nivelin më të lartë koordinimin mes Arabisë Saudite dhe Türkiyes në kontekstin e Sirisë me takimet e zhvilluara në Aqaba, Kajro dhe Rijad. “Nuk ka dallime në opinione mes Arabisë Saudite dhe Türkiyes në lidhje me atë që pritet nga administrata e re në Siri, çfarë është e rëndësishme dhe çfarë duhet bërë”, tha Fidan.
Duke nënvizuar se ka në një marrëdhënie të afërm midis Arabisë Saudite dhe Türkiyes, Fidan tha se Arabia Saudite dhe Türkiye kanë pasur një koordinim dhe solidaritet të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë Grupit të Kontaktit, veçanërisht gjatë krizës së Gazës.
– “Një nga çështjet problematike me SHBA-në është politika amerikane në Siri”
Lidhur me administratën e Trumpit, që nisi detyrën disa ditë më parë, Fidan tha se do të vazhdojnë të punojnë ngushtë në nivelin më të lartë.
“Me administratën amerikane kemi marrëdhënie të kahershme, por nuk mendojmë njësoj për çdo çështje. Ka çështje për të cilat kemi dallime, veçanërisht në çështjet rajonale. Por, ka një mënyrë të të vepruarit që duhet të ndjekin shtetet e zhvilluara dhe të pjekura. Domethënë, duhet që çështjet problematike të vendosen në kllapa dhe të vazhdohet me çështjet e mira. Ne kemi çështje problematike edhe me Amerikën. E para ndër to është politika amerikane në Siri”, u shpreh ai.
Duke rikujtuar se kjo politikë për Sirinë ka filluar gjatë periudhës së ish-presidentit Barack Obama, kryediplomati turk tha se “Përderisa vende si Amerika, Arabia Saudite dhe Türkiye mbështetën opozitën siriane që në fillim, më vonë Amerika tha se ‘Unë nuk do të mbështes opozitën, puna ime do të jetë të luftoj kundër DEASH-it’ dhe ndryshoi konceptin. Më pas, natyrisht, pavetëdijshëm shkaktoi një ton krizash gjeopolitike”.
“Dhe ndërsa ai po e bënte këtë, ai e bëri atë në një mënyrë të tillë që mori një organizatë tjetër terroriste. Ajo përdori PKK/PYD-në për të luftuar DEASH-in dhe për të mbajtur të burgosurit e DEASH-it. Ne i thamë Amerikës se kjo është e gabuar, ne mund ta bëjmë në një mënyrë tjetër. Kjo veçanërisht përbën kërcënim të madh për sigurinë kombëtare të Türkiyes, dhe ju e dini këtë”, potencoi Fidan.
Ai më tej shtoi se organizata terroriste PKK njihet si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe vite të tëra mbi kokët e liderëve të PKK-së është vendosur nga 5 milionë dollarë shpërblim. “Nisur nga një realitet i tillë, nuk është aspak e mirë që po e bëni një gjë të tillë në Siri me një zgjatim të PKK-së. Obama pati thënë se kjo ishte e përkohshme. Pastaj erdhi Trump. Trump donte ta hiqte me shumë sinqeritet disa herë, por disa elementë në administratën amerikane të asaj kohe e rezistuan”, tha Fidan.
Fidan vuri në dukje se Trump ka emëruar staf të ri, i cili do të zbatojë vullnetin dhe udhëzimet e tij në mënyrë të plotë në mandatin e ri, sepse e ka parë se ai po “ngec” nga sistemi amerikan për shumë çështje, duke shprehur shpresën se në periudhën e re të arrihet në nivelin më të lartë të konsensusit për Sirinë, luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë e vendeve të rajonit dhe u shpreh se do të punojnë në këtë drejtim.
– “Grupet e armatosura në Siri duhet të bashkohen nën një ushtri të vetme”
Fidan tha se një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet administrata e re në Siri është që të gjitha palët të arrijnë të kenë dakordim. “Grupet e armatosura në vend duhet të bashkohen nën një çati të vetme ushtrie dhe vetëm një organ i vetëm legjitim shtetëror i autorizuar duhet të mbajë armë dhe të përdorë forcën. Kjo është ajo që duhet të ndodhë në të gjitha shtetet moderne. Ekzistenca e më shumë se një grupi të armatosur, elementë të armatosur, në varësi të autoriteteve të ndryshme, do të thotë terren për luftë civile, kjo nuk është një çështje e pranueshme”, tha Fidan.
Në këtë drejtim, ai informoi se grupet në veri kanë numrin më të madh. “Ka grupe pranë Türkiyes që kanë më shumë se 80 mijë elementë të armatosur. U thamë pa u menduar, shkoni bashkohuni me ushtrinë kombëtare, bëhuni pjesë e ushtrisë kombëtare dhe mos lejoni që në vend të ndodhë asnjë trazirë. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë në grupet jugore, në Suweida dhe Daraa”, shtoi ai.
Duke folur për politikat dhe aktivitetet e Izraelit ndaj Sirisë, Fidan tha: “Ekziston një kontradiktë midis arsyeve për politikën e paraqitur nga Izraeli kur Irani dhe milicitë iraniane ishin të pranishëm në Siri dhe arsyet e politikës aktuale. Politikat e mëparshme kishin një bazë, por tani nuk mbeti ajo bazë”.
“Në një kohë kur kjo nuk ndodh dhe pavarësisht se administrata e re thotë se ‘nuk do të jemi kërcënim për askënd’, nisja e një pushtimi tokësor nga Izraeli në Siri, duke avancuar në disa pika, duke sjellë elementë ushtarakë atje dhe duke hapur baza atje sigurisht konsiderohet si provokim”, shtoi Fidan.
– “Të gjitha grupet etnike në Siri duhet të jenë shtetas të barabartë”
Më tej Fidan tha se administrata e re në Siri ashtu siç u bënte grupeve tjera të armatosura edhe PKK/YPG-së i bëri thirrje që të lë armët. “Pritja jonë këtu është që të gjitha grupet etnike; kurdët, turqit, jezidët, të krishterët, arabët, sunitët, shiitët, alevitë, nusajritë, duke jetuar kulturat e tyre, të zënë vendin e tyre në shoqërinë siriane si qytetarë të barabartë. Sinqerisht, ne duam një sistem që do ta bëjë të mundur këtë. Tani edhe kjo administratë e re dëshiron të bëjë të njëjtën gjë. Ndërsa kjo po ndodh, është e papranueshme që YPG të thotë se nuk po heqë dorë nga armët. Ky është një problem për vetë Sirinë tani”, u shpreh Fidan.
Duke theksuar se para opinionit publik ndërkombëtar sillet kreu i organizatës terroriste PKK/YPG, Ferhat Abdi Şahin me emrin e koduar Mazlum Abdi (Kobani), Fidan tha se “Ky njeri në fakt është kreu i një nën-organi të PKK-së. Mbi këtë, ka drejtues të PKK-së në Siri. Aty është Sabri Ok, është Fehman Hüseyin. Njëri shikon çështjet politike, tjetri shikon çështjet ushtarake, këta drejtues të PKK-së. Ferhat Abdi Şahin nuk mund të marrë ndonjë vendim apo hap pa lejen e tyre. Prandaj, është e papranueshme që një organizatë terroriste të veprojë në këtë mënyrë në epokën e re në Siri”.
Ministri i Jashtëm turk tha se kjo organizatë terroriste ishte “punësuar nga SHBA-ja për të ruajtur” të burgosurit e DEASH-it.
“Tani na duhet një ekuacion që do të sigurojë që të burgosurit e DEASH-it të mbeten në burg, që YPG të heqë dorë nga aktivitetet e saj terroriste dhe që mbron të drejtat e kurdëve. Ne e dimë këtë ekuacion. Çka është ky ekuacion? Ky ekuacion fillimisht është që YPG të braktis armë, administrata e re në Damask menjëherë do të marrë menaxhimin e burgjeve dhe kampeve. Në rast se ka nevojë ne si Türkiye jemi të gatshëm të japim mbështetje në këtë drejtim, ne dhe vendet tjera, nuk ka aspak problem”, tha Fidan duke shtuar:
“Prioriteti i Amerikës është të parandalojë lirimin e të burgosurve të DEASH-it. Kjo duhet të sigurohet. Përveç kësaj, grupet e armatosura tani duhet të dorëzojnë armët e tyre, por edhe grupet e tjera etnike atje duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre kulturore. Formula për këtë është shumë e thjeshtë”.
Lidhur me mundësinë e kthimit të refugjatëve sirianë në Türkiye pas rrëzimit të regjimit të Asadit, Fidan tha: “Vëllezërit tanë sirianë janë mysafirët tanë këtu, ne në thelb nuk u themi atyre të shkojnë. Kjo nuk është në kulturën tonë dhe nuk ka një gjë të tillë as në politikën tonë shtetërore. Por, ne po punojmë për të krijuar mjedise në Siri që do të mundësojnë kthimin e tyre. Qeveria e re në Siri po punon gjithashtu dhe bashkësia ndërkombëtare po punon gjithashtu për këtë”.
Fidan tha se ka mbi 10 milionë sirianë të zhvendosur jo vetëm në Türkiye, por edhe në shumë vende të tjera. Ai shtoi se këta njerëz duhet të kthehen në tokat e tyre në mënyrë që të ringjallet ekonomia siriane, jeta sociale dhe kulturore.
– “Ajo që ndodhi në Siri është mundësi për të përparuar marrëdhëniet Iran-Türkiye”
Lidhur me situatën e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Iranit pas rënies së regjimit të Asadit, Fidan tha se marrëdhëniet dypalëshe duhet të ndikohen shumë pozitivisht nga këndvështrimi i Türkiyes dhe tërhoqi vëmendjen se qëndrimet kundërshtare të Iranit dhe Türkiyes në Siri nuk janë më të pranishme.
Ai tha se Irani tashmë nuk është në Siri. “Prandaj, nuk është pjesë e një mjedisi që prodhon negativitet për Türkiyen. Siria nuk është më zonë e diskutueshme mes nesh. Pozitiviteti rritet më shumë kur zvogëloni numrin e skedarëve të çështjeve të diskutueshme në secilën marrëdhënie. Kjo është mundësi për të çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Në të njëjtën kohë, mendoj se është mundësi për Iranin që të riprogramojë marrëdhëniet fqinjësore dhe politikën e tij të jashtme në rajon. Unë vlerësoj se liderët e Iranit po kërkojnë qartë të përfitojnë nga kjo mundësi e re. Megjithëse ngjarjet në Siri mund të duken si një element negativ për Iranin dhe popullin iranian”, tha Fidan.
Fidan kujtoi se disa ditë më parë kishte folur në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov për Sirinë dhe se Lavrov i ka thënë se dëshironte të fillonte marrëdhënie të barabartë dhe respektuese me Sirinë në periudhën e re.
Duke vënë në dukje se Rusia pret kontributin pozitiv të Türkiyes në këtë drejtim, Fidan tha se Rusia dëshiron të fillojë marrëdhënie të re me Sirinë në periudhën e re dhe se kjo është një çështje që tregon fleksibilitetin e Rusisë në disa preferenca të politikës së jashtme dhe aftësinë e saj për të bërë lëvizje strategjike.
Fidan shprehu besimin se Rusia e pa ngërçin e situatës së mëparshme, doli prej saj sa më shpejt, hyri në një proces përshtatjeje me periudhën e re dhe u përpoq të zhvillonte menjëherë marrëdhëniet me administratën e re. “Sigurisht, kjo do të ishte kërkesa e tyre dhe administrata e re do ta vlerësonte këtë kërkesë, që do të thotë se ata do të vazhdonin marrëdhëniet e tyre ashtu siç duhet të dy shtetet vërtet të zhvilluara. Marrëdhënie të tilla mund të shihen si konstruktive përderisa ato janë në përputhje me sovranitetin dhe interesat e të dy shteteve”, tha ai.
– Trump e filloi detyrën me ndryshime radikale
Lidhur me ecurinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Türkiyes në periudhën e Trumpit, Fidan tha se Trump erdhi në pushtet me një agjendë të politikës së brendshme dhe të jashtme që propozon ndryshime jashtëzakonisht radikale dhe se ai paralajmëroi ndryshime shumë të mëdha me dekretet presidenciale që nënshkroi në ditën e parë në detyrë.
Fidan tha se në këtë drejtim do të ketë aspekte që prekin BE-në, Kinën, Rusinë, vendet e Gjirit, Afrikën, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, si dhe aspekte që shikojnë Türkiyen dhe gjeografinë në të cilën ndodhet.
Sipas tij, Türkiye synon një politikë të jashtme më harmonike, produktive dhe bashkëpunuese në periudhën e re duke shqyrtuar stile të tjera të sjelljes globale dhe vuri në dukje se këtë pikëpamje e ka edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Ai tha se Erdoğan dhe Trump janë dy liderë me një marrëdhënie të afërt, duke shtuar: “Diplomacia nga lider në lider është gjithmonë një rrugë më e shpejtë. Gjithashtu u hap rrugën ministrave dhe politikanëve të tjerë”.
Lidhur me armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, Fidan tha: “Ky armëpushim ishte ai që duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Siç e dini, po flasim për një masakër, një gjenocid që rezultoi në martirizimin e 50 mijë njerëzve (kryesisht) gra dhe fëmijë të pafajshëm. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Gati 2 milionë njerëz mbetën të pastrehë”.
Fidan tha se armëpushimi ishte vetëm faza e parë e përfundimit të dramës palestineze. “Që kjo të mos ndodhë më, të mos vazhdojë kjo luftë dhe ky shkatërrim, ne kemi thënë që në fillim se ajo që duhet të ndodhë është që zgjidhja me dy shtete të zbatohet sa më shpejt. Mendoj se është normale të parashikohet se kriza të tilla do të përsëriten në intervale të caktuara në një rajon ku nuk ka zgjidhje me dy shtete dhe ku palestinezëve nuk u jepet një shtet i nderuar, sovranitet dhe e drejta për të jetuar”, përfundoi ai.