Kryediplomati turk do të marrë pjesë në takimin mbi Gazën në Kajro të OIC-it dhe Ligës Arabe

Kryediplomati turk do të marrë pjesë në takimin mbi Gazën në Kajro të OIC-it dhe Ligës Arabe

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, do të marrë pjesë në takimin e Komitetit Ministror të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe Grupit të Kontaktit të Ligës Arabe të Gazës, i cili do të mbahet nesër në Kajro të Egjiptit, transmeton Anadolu.

Sipas burimeve diplomatike, Fidan do të riafirmojë mbështetjen e Türkiyes për planin e rindërtimit të Gazës të miratuar në samitin e jashtëzakonshëm të Ligës Arabe më 4 mars.

Ai gjithashtu pritet të theksojë nevojën urgjente për zbatimin e fazave të ardhshme të armëpushimit në Gaza dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e tij.

Ministri turk p oashtu do të theksojë rëndësinë kritike të rifillimit të dërgesave të ndihmave humanitare për të zbutur krizën humanitare në rajon dhe do të diskutojë përpjekjet e përbashkëta për të njohur Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran.

Plani i rindërtimit të Gazës, i cili u miratua fillimisht në samitin e Ligës Arabe, u miratua më vonë në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të OIC-it më 7 mars me mbështetjen e Türkiyes.

Komiteti Ministror i OIC-it dhe Ligës Arabe

Gjatë samitit të jashtëzakonshëm të përbashkët të OIC-it dhe Ligës Arabe, i mbajtur në Riad më 11 nëntor të vitit 2023, Türkiye, Palestina, Indonezia, Katari, Egjipti, Nigeria, Arabia Saudite dhe Jordania, së bashku me sekretarët e përgjithshëm të OIC-it dhe Ligës Arabe, u ngarkuan me udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Gaza.

Që nga themelimi i tij, Komiteti Ministror i OIC-it dhe Ligës Arabe ka kryer gjithsej 18 nisma diplomatike në qendrat kryesore globale, duke përfshirë Londrën, Parisin, New Jorkun, Washingtonin, Otavën, Brukselin, Oslon, Madridin dhe Amanin.

Që nga tetori i vitit 2023, pothuajse 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 112 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza.

Në nëntor të muajit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën brutale në enklavë përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

MARKETING