Kryediplomati spanjoll: Ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime për situatën në Gaza

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, tha se është koha që Bashkimi Evropian (BE), i cili deri më tani ka bërë shumë pak dhe që ka mbetur shumë vonë për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza, të ndërmarrë veprime.
Ministri Albares iu përgjigj në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme spanjolle në Madrid, pyetjeve të Agjencisë Anadolu në lidhje me zhvillimet në Gaza dhe Ukrainë.
Duke theksuar se Spanja do të vazhdojë të udhëheqë BE-në në ndërmarrjen e hapave konkretë për të parandaluar gjenocidin e Izraelit në Gaza, Albares tha: “Fatkeqësisht, deri më tani kemi parë se qëndrimet dhe deklaratat morale nuk do ta ndalojnë këtë sulm izraelit, i cili nuk ka asnjë objektiv ushtarak përveç shkatërrimit dhe vuajtjeve të popullatës civile në Palestinë. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të ndërmarrë veprime”.
Albares kritikoi heshtjen e BE-së deri më tani ndaj ngjarjeve në Gaza. “BE-ja ka bërë shumë pak për të ndaluar sulmin e Izraelit ndaj Gazës, ka mbetur shumë vonë. Nuk mund ta kuptoj, sepse të njëjtat parime që u përjetuan në Ukrainë, i njëjti ligj ndërkombëtar, e njëjta mungesë mbrojtjeje për civilët, shënjestrimi i spitaleve, vendeve të kultit, selisë së Kombeve të Bashkuara dhe qyteteve e ndërtesave të zëna vetëm nga civilët, shihen edhe në Gaza. Bashkimi Evropian e dinte këtë, dhe Spanja e dinte këtë që nga fillimi. Ajo dinte si ta ngrinte zërin, t’i përmendte ngjarjet dhe mbi të gjitha, të merrte masa konkrete për të ndaluar luftën e shtypjes në Ukrainë. Por nuk ka një mobilizim të tillë evropian në Gaza”, tha ai.
Albares, rikujtoi se ai paraqiti një plan veprimi në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Kopenhagen më 30 gusht, i cili përfshinte një embargo për shitjen e armëve në Izrael, një fund të tregtisë me Izraelin dhe pezullimin e të gjitha programeve midis Izraelit dhe BE-së.
“Ky sigurisht është një plan i realizueshëm. Ai thjesht përfshin zbatimin e legjislacionit të vetë BE-së. Ky legjislacion thotë, për shembull, se armët nuk duhet t’u shiten vendeve në luftë, siç është Izraeli, ose që Bashkimi Evropian duhet të mbështesë gjithmonë dhe të zbatojë të gjitha vendimet dhe opinionet e dhënë më parë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me mizoritë që po ndodhin aktualisht në Gaza”, shtoi ai.
Albares deklaroi se unanimiteti brenda BE-së është i nevojshëm që plani i veprimit i paraqitur nga Spanja të hyjë në fuqi. “Ende nuk ka unanimitet, por besoj se të paktën po i afrohemi një shumice të kualifikuar për disa nga këto masa. Kam parë se shumica e vendeve duan të bëjnë përparim tani, duan që Bashkimi Evropian të ketë një zë të fortë në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe se duan të mbrojnë viktimat civile palestineze në Gaza, fëmijët, foshnjat, gazetarët dhe punonjësit humanitarë”, tha kryediplomati spanjoll.
– “Evropa nuk mund të ketë dy peshore, dy masa”
Duke iu referuar Gjermanisë, Albares gjithashtu vuri në dukje se ata janë të vetëdijshëm se disa vende brenda BE-së kanë një marrëdhënie të ndryshme historike me Izraelin. “Por, asnjë nga masat në planin e veprimit të paraqitur nga Spanja nuk është kundër popullit izraelit apo hebrenjve. Ato janë masa në favor të së drejtës ndërkombëtare, humanizmit minimal dhe dhënies fund të kësaj çmendurie dhe këtij barbarizmi. Sepse Evropa nuk mund të ketë dy peshore, dy masa. Ne duhet të veprojmë, dhe jam i sigurt se herët apo vonë do të veprojmë”, deklaroi Albares.
– Albares i përgjigjet ministrit Izraelit Ben-Gvir
Ministri spanjoll rikujtoi se atë që qeveritë evropiane dështuan ta bëjnë e kanë bërë Flotilja Globale “Sumud”, e cila u nis nga deti drejt Gazës, ose protestuesit spanjollë që protestuan kundër Izraelit gjatë garës spanjolle të çiklizmit La Vuelta.
Në lidhje me deklaratat e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që i ka cilësuar si terroristë civilët që përpiqen të arrijnë në Gaza, Albares tha: “Përpjekja për t’i etiketuar si terroristë njerëzit që vijnë këtu me një ndjenjë humanizmi dhe solidariteti, është plotësisht e papranueshme. Jam shumë krenar që jam ministri i Jashtëm i një vendi që qëndron në solidaritet, nuk toleron barbarinë dhe është i mobilizuar për të ndaluar masakrën që po shohim në Gaza. Do të doja që flotiljet të mos ishin më të nevojshme, në mënyrë që ndihma masive humanitare nga të gjitha vendet e botës, përfshirë agjencinë spanjolle të ndihmës që dëshiron të arrijë tek popullsia civile në Gaza, të mund të kalonte nëpër kalimet kufitare tokësore ekzistuese pa asnjë pengesë”.
“Ne kërkojmë t’i jepet fund bllokadës izraelite të Gazës dhe pranimin e ndihmës humanitare masivisht dhe pa asnjë kufizim. Jo vetëm që e hedhim poshtë plotësisht trajtimin e qytetarëve spanjollë që kanë treguar solidaritet si terroristë, por them gjithashtu se ata kanë mbrojtje të plotë diplomatike dhe konsullore, si në rastet e mëparshme dhe në flotiljet e mëparshme të qeverisë spanjolle. Ne po e monitorojmë nga afër situatën dhe, si në rastet e mëparshme, ata do të jenë nën mbrojtjen tonë”, tha Albares.
– “Jam në kontakt me homologun tim, ministrin e Jashtëm turk”
Pyetjes nëse Turqia dhe Spanja do të ndërmerrnin një iniciativë të përbashkët kundër gjenocidit të Izraelit në Gaza, Albares iu përgjigj: “Turqia dhe Spanja janë dy vende mike dhe dy partnerë strategjikë. Ne besojmë në Kombet e Bashkuara, marrëdhëniet dypalëshe dhe të drejtën ndërkombëtare. Sigurisht, jam në kontakt me homologun tim, ministrin e Jashtëm turk (Hakan Fidan), dhe bisedojmë shpesh se si mund të përmirësohet situata në Gaza. Sigurisht, Spanja do të qëndrojë me miqtë dhe aleatët e saj, me këdo që mbështet paqen, këdo që mbështet krijimin e Shtetit të Palestinës dhe realizimin e kësaj zgjidhjeje shumështetërore”.
– “Nuk mendoj se Rusia është e gatshme jo vetëm për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por edhe për një armëpushim pa kushte”
Albares iu përgjigj gjithashtu pyetjeve në lidhje me Luftën Rusi-Ukrainë, e cila nuk ka dhënë asnjë rezultat pas negociatave midis Presidentit rus, Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. “Tani për tani, për fat të keq, nuk mendoj se Rusia është e gatshme jo vetëm për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por as për një armëpushim pa kushte. Ajo që shohim çdo ditë është se sulmet me raketa vazhdojnë, se lufta vazhdon. Evropa do të jetë në favor të një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne nuk mund të jemi në favor të një taktike të thjeshtë vonese, një pauze midis dy luftërave, për ta vazhduar më mirë luftën”, tha Albares.
“Ukraina dhe Bashkimi Evropian duhet të përfshihen në të gjitha negociatat e paqes sepse siguria e Ukrainës, si dhe vlerat e saj demokratike, janë të lidhura ngushtë me Evropën, sigurinë tonë dhe vlerat tona. Ne kemi nevojë për një dëshirë të vërtetë për paqe nga ana e Rusisë”, theksoi ministri Albares.