Kryediplomati polak: Rusia nuk ka gjasa të rrezikojë konflikt ushtarak me NATO-n

Kryediplomati polak: Rusia nuk ka gjasa të rrezikojë konflikt ushtarak me NATO-n

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski tha se Rusia nuk ka gjasa të rrezikojë konflikt ushtarak me NATO-n, duke pretenduar se Moska e ka “shteruar” rëndë kapacitetin e saj ushtarak në luftën e vazhdueshme në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për të përjavshmen çeke “Respekt”, të cituar sot nga TVP World, Sikorski tha se Rusia ka pësuar deri në një milion viktima në Ukrainë, duke i lënë forcat e saj të armatosura të shteruara dhe të paafta për t’u angazhuar në konflikte të tjera.

Ai shtoi se Moskës do t’i duheshin disa vite për të rindërtuar ushtrinë e saj, duke u dhënë vendeve evropiane kohë për të forcuar mbrojtjen e tyre, megjithëse paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të bëjë ende një “gabim kardinal”.

Duke iu drejtuar marrëdhënieve më të gjera transatlantike, Sikorski komentoi mbi strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-së të publikuar nën presidentin Donald Trump, e cila ngriti shqetësime në Evropë për qëndrimin e saj të perceptuar të ashpër ndaj BE-së.

Ai thekson se shpenzimet evropiane të mbrojtjes u dyfishuan gjatë mandatit të Trumpit dhe pohoi se SHBA-ja “nuk do ta braktisë” Evropën, pavarësisht zhvendosjes së burimeve në përparësi të tjera globale.

“Evropa do të duhet të marrë përsipër më shumë nga barra e saj e sigurisë”, tha Sikorski.

Kryediplomati polak hodhi poshtë spekulimet se strategjia e SHBA-së inkurajon disa vende, përfshirë Poloninë, të largohen nga BE-ja, duke e përshkruar një dalje të Polonisë nga blloku si “katastrofike”. Ai përsëriti qëllimin e Varshavës për të mbetur “aleat i besueshëm i Washingtonit si anëtar me ndikim i BE-së”.

Sikorski vuri në dyshim logjikën e udhëheqësve si kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri sllovak Robert Fico, të cilët argumentojnë se mbështeten në energjinë e lirë ruse. Sipas tij, të dy vendet mund të përmbushin nevojat e energjisë nga Evropa Jugore me çmime të krahasueshme afatgjata të kontratave.

MARKETING