Kroacia investon gati dy miliardë euro në modernizimin e ushtrisë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, tha të enjten se Komisioni parlamentar për Mbrojtjen ka miratuar blerjen e sistemeve antidron, obusëve “Caesar”, tankeve “Leopard 2A8” dhe kamionëve ushtarakë TATRA, me vlerë gati dy miliardë euro, raporton Anadolu.
“Tri projekte ushtarake – tanket ‘Leopard 2A8’, obusët ‘Caesar’ dhe kamionët ‘TATRA’ – do të financohen me kredi nga instrumenti financiar i BE-së, SAFE, ndërsa sistemi antidron do të financohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.
Ministria po vazhdon intensivisht pajisjen dhe modernizimin e Ushtrisë së Kroacisë.
Anushiq deklaroi se sistemi antidron do të kushtojë 125 milionë euro pa TVSH-në dhe përfshin katër sisteme – dy mobile dhe dy stacionare.
Këto sisteme do të mbrojnë infrastrukturën ushtarake kritike, përkatësisht dy aeroporte, si dhe pjesët civile të tyre.
Në projektet e blerjes janë të përfshira kompani dhe partnerë nga Kroacia, mes tyre Konçar dhe Duro Dakovic, dhe është lënë e hapur mundësia e përfshirjes edhe të prodhuesve të tjerë kroatë. Me këtë nxiset zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes dhe forcohet aftësia e Ushtrisë së Kroacisë, si dhe ndërveprueshmëria e saj me NATO-n.
Ministria e Mbrojtjes do të lidhë një marrëveshje kornizë me kompaninë “Konçar d.d.” për pajisjen e ushtrisë me sistemin antidron, me financim shumëvjeçar nga 2026 deri në 2029. Blerja prej 125 milionë eurosh pa TVSH përfshin dy sisteme stacionare për mbrojtjen e infrastrukturës kritike ushtarake dhe dy sisteme mobile.
Në fazën e parë, e parashikuar deri në mesin e vitit 2027, do të instalohet sistemi për zbulimin, pengimin dhe neutralizimin e dronëve, i cili do të integrohet në një sistem të unifikuar komandimi dhe mbikëqyrjeje. Sistemi do të jetë rezistent ndaj kërcënimeve kibernetike dhe i mbështetur nga inteligjenca artificiale. Faza e dytë përfshin pajisjen e sistemeve mobile të armatosura me një top 30-milimetërsh, të integruar në të njëjtin sistem.
Blerja e përbashkët e 18 obusëve vetëlëvizës “Caesar” 6×6 MK2 po kryhet përmes Agjencisë Franceze për Armatime (DGA), së bashku me Estoninë, Bullgarinë, Portugalinë dhe Slloveninë. Blerja ndahet në dy paketa, që së bashku përbëjnë proces të vetëm furnizimi.
Paketa bazë përfshin 18 obusë vetëlëvizës “Caesar”, ndërsa paketa shtesë përfshin pajisje për zbulimin dhe identifikimin e objektivave, sistemet e kontrollit të zjarrit, komunikimit dhe transmetimit të të dhënave, automjete komunikimi, automjete të blinduara dhe automjete logjistike për transport municionesh. Kontratat pritet të nënshkruhen njëkohësisht dhe financimi do të sigurohet nga instrumenti SAFE i BE-së. Afati i dorëzimit është viti 2029, dhe vlera është rreth 320 milionë euro.
Deri në fund të vitit do të nënshkruhet kontrata për blerjen e 44 tankeve më modernë “Leopard 2A8”, ndërsa dorëzimi pritet midis 2028 dhe 2030. Në vitin 2028, Kroacia do të marrë tanket e para dhe deri në vitin 2030 të gjithë tanket “Leopard 2A8”. Kontrata përfshin gjithashtu tre simulatorë, pjesë këmbimi dhe mbështetje logjistike. Financimi do të vijë nga instrumenti SAFE i BE-së. Qeveria kroate ka miratuar parapërgatitjet për blerjen e tankeve në nëntor 2024. Vlera e blerjes është rreth 1,3 miliard euro.
Blerja e përbashkët e 420 kamionëve të rëndë ushtarakë “TATRA T-815-7” me konfigurim 6×6 dhe 8×8 do të realizohet me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë që tashmë është nënshkruar nga Ministritë e Mbrojtjes së Çekisë dhe Sllovakisë dhe kompania “Tatra Defence Systems”. Financimi do të sigurohet nga instrumenti SAFE i BE-së, dhe marrëveshja do të nënshkruhet deri në fund të vitit.
Kamionët Tatra plotësojnë standardet e NATO-s për mbrojtje balistike dhe kundër minave dhe përdoren nga 21 vende të NATO-s. Vlera e blerjes është rreth 200 milionë euro, me afat dorëzimi nga 2026 deri në 2030.

