Kroacia bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajon pas deklaratave të Vuçiqit
Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq bëri thirrje sot për paqe dhe bashkëpunim në rajon pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq akuzoi Kroacinë se, së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë po bëjnë aleancë ushtarake kundër Serbisë, raporton Anadolu.
“Kroacia ka rrugën e saj dhe ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare, e bën në mënyrë transparente. Sa u përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe fqinjësisë në ditën e sotme, mund t’ju them vetëm se edhe pse Krishtlindjet i festojmë sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet të na bashkojë”, tha Bozhinoviq duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për deklaratat e Vuçiqit pas pritjes së Këshillit Kombëtar Serb me rastin e Krishtlindjes Ortodokse në Zagreb.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë të dielën, Vuçiq deklaroi se “kërcënim serioz për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë paraqet aleanca, përkatësisht lidhja e re mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e cila përfshin prodhimin e përbashkët të sistemeve të avancuara luftarake, nga automjetet 4×4 deri te planet për armatim më të fuqishëm në të ardhmen”.
Një ditë më vonë, në Trebinje të Bosnjë e Hercegovinës, presidenti serb tha se Beogradi e kupton qartë formimin e aleancës së re ushtarake mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës, duke theksuar se kjo aleancë nuk është e drejtuar kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb.
Ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan në mars të vitit 2025 një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Me këtë deklaratë, në të cilën mund t’i bashkohen edhe shtete të tjera, theksohet rëndësia e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal.
Siç është theksuar, dokumenti promovon aftësitë mbrojtëse dhe bashkëpunimin e industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprueshmërisë përmes arsimimit, trajnimit dhe stërvitjeve, luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e integrimeve euroatlantike.

