Kroaci, protestë për shkak të marrëveshjes së qeverisë me kompaninë izraelite të energjisë

Në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, aktivistë nga organizata “Veprimi i Gjelbër”, e cila kundërshton gjenocidin e Izraelit në Gaza, protestuan kundër qeverisë kroate për shkak të një marrëveshjeje biznesi që ka bërë me një kompani izraelite, raporton Anadolu.
Sipas raportimeve në mediat lokale, aktivistët u mblodhën përpara ndërtesës së qeverisë kroate dhe protestuan kundër marrëveshjes së bashkëpunimit të qeverisë kroate me kompaninë izraelite “Enlight Renewable Energy”, e cila ka projekte për energji diellore dhe centrale me erë, duke kërkuar ndërprerjen e marrëveshjes.
Aktivistët thanë se marrëveshja e qeverisë kroate me kompaninë izraelite përbën mbështetje për gjenocidin në Gaza.
Aktivistët lanë lodra, libra me përralla dhe këpucë për fëmijë të lyer me të kuqe përpara ndërtesës së qeverisë dhe shpalosën banderolë të madhe me mbishkrimin “Ndalo bashkëpunimin me Enlight Renewable Energy! Mos e mbështesni gjenocidin!”.
Marija Mileta, aktiviste e organizatës “Veprimi i Gjelbër”, tha se Kroacia duhet të zbatojë rregullat e përcaktuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe se qeveria kroate ka një detyrim për të ndëshkuar Izraelin për gjenocid.
Aktivistët theksuan se kompania ka bashkëpunuar me ushtrinë izraelite për shumë vite dhe ka përfituar nga gjenocidi dhe pushtimi.