“Krime lufte në Ukrainë,” Rusia i përgjigjet SHBA: Justifikime për të përshkallëzuar luftën

“Krime lufte në Ukrainë,” Rusia i përgjigjet SHBA: Justifikime për të përshkallëzuar luftën

Justifikime për të përshkallëzuar luftën i ka cilësuar ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara akuzat për krime lufte në Ukrainë.

Nënkryetarja e SHBA-së, Kamala Harris dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pohuan qëndrimin e Uashingtonit se Rusia ka kryer krime lufte kundër njerëzimit në luftën e nisur në Ukrainë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, ambasadori Anatoly Antonov u përgjigj deklaratave: “Ne i konsiderojmë insinuata të tilla si një përpjekje, të paprecedentë…për të demonizuar Rusinë në rrjedhën e një lufte hibride, të nisur kundër nesh. Nuk ka dyshim se qëllimi i sulmeve të tilla është të justifikojë veprimet e vetë Uashingtonit për të nxitur krizën ukrainase.”

Po ashtu, ambasadori e akuzoi SHBA-në se tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën duke furnizuar Ukrainën me armë të rënda, inteligjencë dhe duke ofruar stërvitje.

“Si mund t’i besojmë Perëndimit dhe të përpiqemi të arrijmë në çdo lloj marrëveshjeje pas gjithë këtyre deklaratave dhe veprimeve?” Pyeti diplomati.

Sipas Antonov-it, Shtetet e Bashkuara kanë “mbyllur sytë ndaj mizorive të regjimit të Zelensky-t.”

Kujtojmë se, në fjalimin e saj në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ditë përpara përvjetorit të pushtimit të Moskës, Harris citoi prova të sulmeve pa dallim ruse që synonin qëllimisht civilët, duke përfshirë bombardimin e një materniteti ku e vrarë mbeti një nënë shtatzënë dhe bombardimin e një teatri në Mariupol ku me qindra civilë mbetën të vrarë.

MARKETING