Krim makabër në Itali – burri vritet dhe copëtohet nga nëna dhe partnerja

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin Gemona del Friuli, pranë Udines në verilindje të Italisë.
Viktima, Alessandro Venier, 35 vjeç, dyshohet se është vrarë dhe më pas copëtuar nga nëna e tij dhe e dashura.
Venier, i cili punonte në një pozicion të thjeshtë në një spital lokal, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij ditën e enjte. Mbetjet e trupit të tij u zbuluan nga policia brenda një koshi plehrash, të mbuluara me gëlqere të pashuar – një përpjekje për të fshehur erën e trupit.
Të dyshuarat për këtë akt makabër janë nëna e tij, Lorena Venier, 61 vjeç, me profesion infermiere, dhe e dashura kolumbiane 30-vjeçare e viktimës. Sipas hetimeve paraprake, ato dyshohet se e kanë droguar Alessandro-n dhe më pas e kanë copëtuar me një sëpatë.
Alessandro jetonte në të njëjtën banesë me partneren dhe vajzën e tyre gjashtëmuajshe. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë motiv i qartë për krimin, raporton ansa.
Zbulimi i ngjarjes erdhi pas një telefonate anonime – e cila dyshohet të jetë bërë nga njëra prej grave – që çoi në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe arrestimin e tyre. Të dyja ndodhen aktualisht në paraburgim dhe po merren në pyetje nga autoritetet.
Kryetari i bashkisë, Roberto Revelant, u shpreh se komuniteti është i tronditur nga kjo ngjarje e pashembullt “asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur më parë në qytetin tonë. Është një tragjedi që na ka lënë pa fjalë. Jemi të shokuar.”
Ai shtoi se viktima kishte ëndërruar që një ditë të zhvendosej në Kolumbi. Alessandro ishte rritur vetëm nga nëna, pasi babai i tij – një emigrant nga Egjipti – kishte braktisur familjen menjëherë pas lindjes së tij.
Vajza gjashtëmuajshe e çiftit është vendosur nën kujdesin e shërbimeve sociale. “E gjithë bashkia është mobilizuar për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e foshnjës,” theksoi kryebashkiaku.
Ndërkohë, autoritetet kanë urdhëruar autopsinë e trupit të viktimës dhe pritet që së shpejti të ngrihen zyrtarisht akuzat ndaj dy të dyshuarave.