Kreu i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë u bën thirrje gazetarëve të vijnë në Palestinë

Kreu i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, Nasser Abu Baker tha se raportimi për realitetin në Rripin e Gazës ku Izraeli vazhdon sulmet e tij, është thelbësor dhe u bëri thirrje gazetarëve të vijnë në Palestinë.
Në Festivalin “L’Humanite”, të mbajtur në Bretigny-sur-Orge të Francës nga 12 deri më 14 shtator, kreu i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, Abu Baker në një prononcim për Anadolu tha: “Ushtria izraelite vrau 250 gazetarë deri më tani. Kjo është masakra më e keqe në botë. Ushtria izraelite plagosi 400 gazetarë, ndaloi 200 gazetarë, shkatërroi 120 organe mediatike në Gaza dhe vazhdon krimet duke vrarë 600 anëtarë të familjeve të gazetarëve”.
Ai tha se ushtria izraelite shkatërroi 1.500 shtëpi që u përkisnin gazetarëve në Gaza. “Tani gazetarët tanë janë të pastrehë, nuk kanë vend ku të flenë. Ata kanë vetëm tenda, nën shi dhe diell, pa ushqim, qumësht për fëmijët e tyre të vegjël ose ndonjë ndihmë humanitare për veten e tyre. Të gjithë gazetarët e tjerë që janë ende gjallë në Gaza janë nën zjarr. Ata po punojnë këtu në një situatë shumë të rrezikshme, nën zjarr, raketa dhe plumba”, tha Abu Baker.
Sipas tij, gazetarët e Gazës janë të vendosur të vazhdojnë të raportojnë dhe theksoi nevojën për solidaritet nga kolegët e tyre. Ai shprehu gëzimin e tij për solidaritetin me gazetarët palestinezë dhe popullin palestinez në festival dhe falënderoi të gjithë ata në Francë që kanë qëndruar në solidaritet me Rripin e Gazës dhe të gjithë popullin palestinez.
– “Ushtroni presion mbi qeverinë tuaj për të shkuar në Gaza”
Abu Baker potencoi rëndësinë e gazetarëve në Francë që raportojnë mbi ngjarjet në Gaza dhe që mbrojnë drejtësinë dhe duke iu drejtuar gazetarëve francezë tha:
“Raportimi për realitetin në terren është thelbësor. Ejani në Palestinë. Ushtroni presion mbi qeverinë tuaj për të shkuar në Palestinë, në Gaza, për të parë realitetin në terren, se si ushtria izraelite shënjestron sistematikisht gazetarët palestinezë dhe për të raportuar mbi drejtësinë dhe të vërtetën në Gaza. Ne nuk duam që askush të bashkohet me ne pa parë realitetin dhe situatën në terren”, shtoi ai.
Më tej Abu Baker i bëri thirrje qeverisë së Francës që të përshpejtojë njohjen e shtetit të Palestinës, duke theksuar se kjo do të thotë shumë për popullin palestinez.
– “Ky është gjenocidi më i keq i shekullit në botë”
Kreu i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë tha se njohja e shtetit të Palestinës do të thotë të mbrosh drejtësinë dhe të drejtën e popullit palestinez për të pasur një shtet të pavarur në tokën e vet. Abu Baker bëri të ditur se kjo do të thotë të mbrosh fundin e pushtimit të Palestinës dhe sulmeve ndaj gazetarëve palestinezë dhe popullit palestinez.
Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund gjenocidit në Rripin e Gazës dhe krimeve të luftës kundër gazetarëve. “Ky është gjenocidi më i keq i shekullit në botë. Duhet të përfundojë menjëherë. Duhet të ushtrohet presion mbi qeverinë izraelite që të ndalojë (kryeministrin izraelit Benjamin) Netanyahun dhe këtë luftë kundër popullit palestinez”, tha Abu Baker.