Kreu i OKB-së, Guterres mirëpret armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe Hamasit

Kreu i OKB-së, Guterres mirëpret armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe Hamasit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres mirëpriti miratimin e fazës së parë të planit për armëpushim në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim të lëshuar përmes Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres deklaroi: “Mirëpres njoftimin për marrëveshjen e arritur për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, bazuar në propozimin e paraqitur nga presidenti Donald Trump”.

Guterres vlerësoi përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për të arritur marrëveshjen dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve që të përmbushin plotësisht kushtet e saj.

Ai theksoi nevojën për lirimin e të gjithë pengjeve, një armëpushim të përhershëm dhe hyrjen e menjëhershme të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. “Vuajtjet duhet të marrin fund”, tha kreu i OKB-së.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të interesuara të shfrytëzojnë këtë mundësi të rëndësishme për të krijuar një rrugë të besueshme politike drejt përfundimit të pushtimit, duke njohur të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe duke arritur një zgjidhje me dy shtete që do t’u mundësojë izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha Guterres.

MARKETING