Kreu i inteligjencës ruse pretendon se situata në Ukraina ka marrë tipare të një “lufte fetare”

Kreu i inteligjencës ruse pretendon se situata në Ukraina ka marrë tipare të një “lufte fetare”

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Rusisë, Sergey Naryshkin, ka pretenduar se situata në Ukrainë ka marrë tiparet e një “lufte fetare” mes veprimeve të fundit të ndërmarra nga Kievi lidhur me manastirin ‘Kiev Pechersk Lavra’, transmeton Anadolu.

“Ne e kuptojmë se për kryeqytetet perëndimore dhe autoritetet e Kievit, praktikisht nuk ka vija të kuqe në çështjet e përkeqësimit të konflikteve fetare. Situata në Ukrainë ka marrë tiparet e një lufte fetare”, tha Naryshkin në një takim në kryeqytetin Minsk me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.

Naryshkin pohoi se qeveria ukrainase dhe udhëheqësit perëndimor kërkojnë jo vetëm ta ndalojnë, por edhe “ta shkatërrojnë fjalë për fjalë dhe fizikisht” ortodoksinë kanonike në territorin e vendit.

“Kryeqytetet perëndimore e kuptojnë se në kushtet e rënies së ideologjive, luftës për një rend të ri botëror… ortodoksia kanonike ruse është thelbi, forcë shpirtërore që vazhdon të jetë baza e unitetit të popujve ortodoksë”, tha Naryshkin.

‘Kiev Pechersk Lavra’, e njohur gjithashtu si Manastiri i Shpellave të Kievit, ka qenë një qendër e rëndësishme e Krishterimit Ortodoks Lindor që nga themelimi i saj në vitin 1051.

Tensionet rreth manastirit u rritën kur autoritetet ukrainase javën e kaluar u thanë murgjve të lirojnë kompleksin ‘Kiev Pechersk Lavra’, një urdhër që ata e kanë rezistuar.

Mitropoliti Pavel, igumeni i manastirit, u vendos po ashtu në arrest shtëpiak me akuzën e justifikimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se përpjekja e Kievit për të kapur manastirin është e “paligjshme” për sa i përket ligjit dhe “imorale” nga këndvështrimi shpirtëror.

“Perëndimi këmbëngul në përpjekjen për të bindur Gjeorginë të hap të ashtuquajturën frontin e dytë kundër Rusisë”

Naryshkin gjithashtu pohoi se Rusia ka parë “përpjekje të vazhdueshme” të vendeve perëndimore për të bindur udhëheqjen gjeorgjiane për nevojën për të hapur një “të ashtuquajtur front të dytë”, sepse ata shohin se situata në fushën e betejës nuk është në favor të Ukrainës.

Më tej, ai pohoi se Polonia nuk e ka braktisur idenë e “marrjes së kontrollit mbi territoret perëndimore të Ukrainës moderne”, prandaj kundërshton zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe garanton se do t’i japë ndihmë vendit.

“Kjo situatë e përkeqëson pozitën e Ukrainës dhe popullit ukrainas. Unë do të thosha se udhëheqja polake po pret fjalë për fjalë momentin e duhur për të ushtruar kontroll mbi këto territore”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se Rusia do të forcojë bashkëpunimin me Bjellorusinë në lidhje me rritjen e “kërcënimeve të jashtme”.

“Dua të theksoj se ndërveprimi ynë është ekuivalent, duke përfaqësuar interes të barabartë, të ndërsjellë. Ne kemi diçka më të fortë, diçka që kanë kolegët tanë bjellorusë. Vërtet, vitet e fundit, ne kemi forcuar seriozisht ndërveprimin tonë për të identifikuar dhe parandaluar të gjitha kërcënimet e jashtme me të cilat përballen vendet tona”, tha Naryshkin.

Ndërkohë, Lukashenko falënderoi Rusinë për ndihmën ndaj Bjellorusisë në fushën e inteligjencës teknike, si dhe shtoi se kohët e fundit ka pasur një rritje të shkëmbimit të të dhënave.

“Kohët e fundit ne kemi shkëmbyer në mënyrë më intensive të dhënat e inteligjencës dhe cilësia e informacionit është përmirësuar. Kjo është kryesisht për shkak të intensifikimit të aktiviteteve të Komitetit të Sigurisë Shtetërore”, tha Lukashenko.

Më tej, ai tha se “pa teknologji është e vështirë të marrësh informacion të mirë, të besueshëm dhe të fortë”.

MARKETING