Kremlini: Turqia si një shtet sovran vendos vetë për bashkëpunimin me Rusinë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Turqia si shtet sovran, vendos vetë se në cilat fusha do të bashkëpunojë me Rusinë, transmeton Anadolu.
Duke komentuar deklaratat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me burimet energjetike ruse gjatë takimit të tij me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, Peskov tha se tubacioni i gazit natyror “TurkStream” dhe tubacioni i gazit natyror “Blue Stream” po funksionojnë me kapacitet të plotë.
“Turqia dhe Rusia vazhdojnë bashkëpunimin e tyre tregtar dhe ekonomik. Turqia është një shtet sovran që vendos vetë se në cilat fusha do të bashkëpunojë me Rusinë”, tha Peskov.
Ai thekson se nëse Turqia i konsideron të favorshme llojet e tregtisë së caktuar me mallra të caktuara, ajo do të vazhdojë shkëmbimin (shit-blerjen) në këtë drejtim.
Lidhur me atë se disa diplomatë të NATO-s kanë kërkuar rrëzimin e avionëve luftarakë rusë nëse ata shkelin hapësirën e tyre ajrore, Peskov tha se akuzat se avionët luftarakë rusë kanë ndërhyrë në hapësirën ajrore të një vendi tjetër janë të pabaza.
Peskov tërhoqi vëmendjen se nuk janë paraqitur prova bindëse në këtë drejtim. “Ne këmbëngulim se të gjithë avionët tanë luftarakë i kryejnë fluturimet e tyre duke iu përmbajtur në mënyrë strikte rregulloreve ndërkombëtare”, tha ai.
Duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy se “Nëse Rusia nuk e përfundon luftën, zyrtarët e Kremlinit duhet të dinë se ku është streha më e afërt”, Peskov tha se Zelenskyy po përpiqet të jetë “një ushtar i mirë për sponsorët e tij”.
“Situata reale në vijën e frontit tregon të kundërtën. Situata dhe pozicioni negociues i Ukrainës po përkeqësohet çdo ditë e më shumë”, shtoi Peskov.