Kremlini thotë se Zelensky nuk është i interesuar për paqe

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendon se përplasja mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten tregon se Kievi nuk është i interesuar për paqen.
Duke folur me gazetarët të hënën, Peskov ka thënë se përpjekjet e Moskës dhe Uashingtonit nuk do të jenë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje paqeje, duke pretenduar se Zelensky dëshiron që luftimet në Ukrainë të vazhdojnë, raporton AP.
Peskov ka shtuar se do të duheshin “përpjekje të konsiderueshme” nga Evropa për të zbutur marrëdhëniet e Ukrainës me SHBA-në pas grindjes publike në Zyrën Ovale.
Sipas tij, dikush do të duhet të bindë Zelenskyn që të pajtohet me paqen.
Peskov ka thënë gjithashtu se samiti i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar të dielën nuk kishte për qëllim arritjen e paqes, por vazhdimin e luftimeve.