Kremlini: Nuk pritet dokument përfundimtar pas takimit Putin-Trump

Kremlini: Nuk pritet dokument përfundimtar pas takimit Putin-Trump

Sipas Kremlinit, nuk pritet një dokument përfundimtar pas takimit të ardhshëm në Alaska midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.

Siç raportojnë mediat ruse, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se një dokument i tillë “nuk pritet” pas bisedimeve dhe se asgjë nuk është përgatitur.

“Dhe, nuk ka gjasa që të ketë ndonjë dokument”, shtoi ai.

Megjithatë, Peskov tha se do të mbahet një konferencë të përbashkët për media pas samitit dhe se presidenti rus do të paraqesë “gamën e marrëveshjeve dhe mirëkuptimeve që ai do të jetë në gjendje t’i përmbushë”.

Ai tha se përgatitjet për samitin u bënë brenda një afati kohor të kufizuar, duke theksuar se diskutimet aktuale mbi luftën në Ukrainë po zhvillohen në nivel dypalësh dhe qëndrimi i Kievit do të merret në konsideratë në një fazë të mëvonshme.

Peskov gjithashtu tha se takimi i Putinit më herët në Moskë me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Steve Witkoff, ishte produktiv dhe i hapi rrugën samitit.

Ai paralajmëroi se do të ishte një “gabim i madh” të nxitohej dhe të parashikohej rezultati i bisedimeve, duke kërkuar të “shihet si do të shkojë biseda”.

Takimi kokë më kokë midis Putinit dhe Trumpit do të zhvillohet në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës.

MARKETING