Kremlini: Bisedimet për ringjalljen e marrëdhënieve Rusi-SHBA ecin “shumë mirë”

Kremlini: Bisedimet për ringjalljen e marrëdhënieve Rusi-SHBA ecin “shumë mirë”

Kremlini ka deklaruar se bisedimet në vazhdim midis Rusisë dhe SHBA-së për ringjalljen e lidhjeve dypalëshe po ecin “shumë mirë”, por ka theksuar se ky proves kërkon negociata intensive, transmeton Anadolu.

“Në fakt, gjithçka po ecën shumë mirë. Ringjallja e marrëdhënieve praktikisht nga e para është një çështje shumë e vështirë, kërkon përpjekje shumë intensive diplomatike dhe të tjera”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një interviste me gazetarin rus Pavel Zarubin.

Duke u shprehur se ky proces përbëhet nga “hapa të vegjël” për të rikrijuar një atmosferë të paktën minimale të besimit të ndërsjellë, Peskov tha se kjo është ajo që ata po përpiqen të arrijnë përmes kontakteve të tyre.

Ai gjithashtu tha se Rusia dhe SHBA-ja “po ecin këtë rrugë së bashku me shumë durim”, duke theksuar se ata ende kanë shumë hapa për të ndërmarrë.

“Por këtu, ne vetëm duhet të kuptojmë se sa serioz është dëmtimi i marrëdhënieve dypalëshe ruso-amerikane nën administratën e mëparshme (të presidentit amerikan Joe Biden)”, tha Peskov, duke shtuar se po bëhet “punë e mundimshme” për të eliminuar dëmin.

Më tej, ai theksoi se nuk duhet pritur asnjë rezultat i menjëhershëm nga bisedimet e fundit dypalëshe, ndërkohë që pritjet e publikut dhe mediave në këtë drejtim kufizohen gjithmonë me “maksimalizëm”.

“Në realitet, situata është pak më ndryshe, është shumë më komplekse, kërkon më shumë punë, kërkon më shumë kohë”, shtoi ai.

Peskov gjithashtu tha se bisedimet ballë për ballë midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, “sigurisht se do të zhvillohen kur të vijë koha”.

Ai i përshkroi vizitat e ndërsjella të të dërguarve rusë dhe amerikanë në vendet e njëri-tjetrit si një “kanal shumë të mirë dhe të besueshëm për komunikimin e pozicioneve me njëri-tjetrin”.

Komentet e zëdhënësit të Kremlinit erdhën dy ditë pas një takimi midis presidentit Putin dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, në qytetin rus Shën Petersburg.

Kontaktet midis Rusisë dhe SHBA-së kanë qenë në progres që nga shkurti i këtij viti për të ringjallur lidhjet dypalëshe, si dhe për të gjetur një zgjidhje për luftën Moskë-Kiev, e cila vazhdon për më shumë se tre vite.

MARKETING