Krasniqi: S’kemi marrë ftesë nga Kurti, me partitë e tjera kemi komunikim të vazhdueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, njoftoi të premten se partia e tij nuk ka marrë deri tani ndonjë ftesë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bisedime në lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Partia Demokratike, e cila nuk garoi me Krasniqin si kandidat për kryeministër por me Bedri Hamzën, doli e dyta duke i siguruar 24 ulëse.
Krasniqi tha për gazetarë se nuk është takuar dhe nuk pret takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për çështjen e formimit të Qeverisë së re.
“Sikur të kishte ndodhur, do ta kishit kuptuar tashmë, sepse jo nuk bëhet në mënyrë jopublike. Nuk ka ftesë as takim e as nuk pres që të ketë”, tha Krasniqi për gazetarë në Prishtinë.
Partia e Kurtit e ka pranuar së fundi se nuk do të jetë në gjendje ta formojë Qeverinë vetëm me pakicat joserbe, të cilat kanë 10 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e refuzoi takimin me të ditë më parë.
Seanca konstituive për përbërjen e re parlamentare do të mbahet me 15 prill, dhe ky është hapi i parë drejt formimit të institucioneve të reja
Sipas ligjeve, Vetëvendosjes i takon të provojë ta formojë Qeverinë e re si fituese e zgjedhjeve dhe asaj i nevojiten të paktën 61 deputetë për të pasur sukses.
Krasniqi tha se pret që PDK-ja ta marrë të drejtën për ta nominuar kandidatin e saj për formimin e Qeverisë, nëse Kurti dështon ta formojë atë.
“Presidentja do të duhej, në rastin e dështimit të Kurtit si i pari në këto zgjedhje, të na ftojë neve për ta mandatuar kandidatin tonë. Ne e kemi mandatuar Bedri Hamzën”, tha Krasniqi.
“Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me partitë opozitare dhe besoj shumë se, duke e respektuar rendin dhe hapat kushtetues, pas dështimit të mundshëm të partisë së parë, ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë një Qeveri të re qytetarëve të vendit. Me të gjitha partitë kemi biseduar”, tha ai.
I pyetur nëse do ta pranonte kërkesën e LDK-së që ajo ta gëzojë postin e kryeministrit në rast të një marrëveshjeje për koalicion mes tyre, Krasniqi e hodhi poshtë këtë mundësi.
Çfarë parashihet më 15 prill?
Më 15 prill, deputetët e zgjedhur paraqiten në Kuvend. Seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Deputetët e zgjedhur bëjnë betimin.
Pastaj, partia e parë propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe gjatë seancës zgjidhen edhe nënkryetarët.
Seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, sipas Rregullores së Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë për krijimin e Qeverisë së re partinë e parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-në.
Në Kushtetutë thuhet se mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re të ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë 61 vota që ajo të votohet.
Në rast se partia e parë nuk arrin të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani ka afat që brenda dhjetë ditësh të emërojë një mandatar tjetër.
Ajo fton partitë në konsultime dhe është në diskrecionin e saj se kë e mandaton për të formuar ekzekutivin.
Mandatari i dytë, po ashtu i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.