KQZ-ja merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, raporton Anadolu.
Në dhjetë komuna, votat do të rinumërohen në tërësi, ndërsa në 28 komuna do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve.
Rinumërimi i vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot nga ora 18:00
Sipas KQZ-së, vendimi erdhi pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë verifikimit të video-incizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit ka evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara për kandidatë dhe atyre të shënuara në fletëvotime.
SKQZ-ja më pas ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2 për qind të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Deri dje, 12 janar, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Bazuar në këto gjetje, KQZ-ja ka vendosur që në dhjetë komuna të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve. Këto komuna janë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërkaq, në 28 komunat e tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve. Ato janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.

