Kosovë, Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit për 15 prill

Kosovë, Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit për 15 prill

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për më 15 prill.

Presidenca e vendit tha se thirrja e presidentes Osmani vjen pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore.

Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë, pas çka deputetët zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit mund të fillojnë procedurat për formimin e qeverisë së re, ku sipas kushtetutës, presidenti duhet t’ia propozojë Kuvendit emrin e kandidatit për kryeministër, në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën, në këtë rast, Lëvizjen Vetëvendosje.

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit u certifikuan më 27 mars, në bazë të së cilave Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse, ndërkaq minoritetet kanë 20 ulëse të rezervuara.

MARKETING