Kosovë, mbi 2 milionë votues me të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën votuese brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.076.290 votues.
“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1.999.205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77.085 votues”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se lista e zgjedhjeve të 28 dhjetorit përmban 7.192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur se procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
KQZ-ja të mërkurën ka certifikuar 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

