Kosovë, aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”, transmeton Anadolu.
PSRK njoftoi se aktakuzën ndaj personave me inicialet J.V., D.V., dhe I.D e ka ngritur pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe me partnerët evropianë.
“Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit ‘Ibër Lepenc’, të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’) në brendësi të kanalit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktakuza sqaron se J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”. Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D., ndërsa i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazh”.
PSRK njofton se sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Më 29 nëntor kanali i Ibër-Lepencit u sulmua me rreth 20 kilogramë eksploziv në muret e tij anësore duke nxjerrë rrjedhën e ujit jashtë shtratit, gjë që rrezikonte furnizimin me ujë dhe energji elektrike të një pjese të Kosovës.
Krerët e institucioneve të larta në Kosovë, fajësuan direkt Serbinë për këtë sulm, megjithëse Beogradi zyrtar e mohoi një gjë të tillë. Gjithashtu, sulmi u dënua edhe nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kanali i Ibër-Lepencit është një nga asetet me rëndësi të Kosovës. Ai furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ftohjen e termoelektranave të saj.

