Kosovë, aksion për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë

Kosovë, aksion për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë

Qytetarë të komunitetit boshnjak të cilët kryesisht jetojnë në rrethinën e Prizrenit, kanë marrë iniciativë për grumbullimin e ndihmave humanitare me qëllim të dërgimit të tyre për qytetarët e prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Bosnjë e Hercegovinë, transmeton Anadolu.

Në Qendrën Kulturore Boshnjake në Prizren nga dita e hënë ka filluar mbledhja e pakove ushqimore dhe veshmbathjeve për t’u dërguar në Bosnjë e Hercegovinë.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, e cila i takon komunitetit boshnjak në Kosovë, Emilija Rexhepi tha se këto ndihma brenda pak ditësh do të nisen për në Bosnjë e Hercegovinë.

“Pas përmbytjeve në Bosnjë e Hercegovinë kemi shprehur dëshirën që pjesëtarët e komunitetit boshnjak të Prizrenit të solidarizohen me vëllezërit e motrat tona atje dhe ka nisur aksioni i grumbullimit të veshmbathjeve dhe gjërave ushqimore, dhe pakot do të dërgohen brenda ditësh në zonat e prekura në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë ajo.

Rexhepi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie që të ofrojnë përkrahje humanitare për zonat e prekura nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë, pasi sipas saj, atje ende mbretëron një situatë e vështirë.

Nisma të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga subjektet tjera politike, por edhe aktivistët e shoqërisë civile nga radhët e komunitetit boshnjak që veprojnë në Komunën e Prizrenit, të cilët kanë hapur xhirollogari të caktuar bankare për të grumbulluar mjete financiare që do të transferohen për të ndihmuar zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse.

Gjatë javës së kaluar përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje të dheut goditën zonat e Jabllanicës, Konjicës, Kiseljakut, Fojnicës dhe qyteteve të tjera, duke marrë shumë jetë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

MARKETING