Kosovë, 109 persona të arrestuar për manipulim me votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Policia e Kosovës, në bashkpëunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka arrestuar 109 persona nën dyshimet për manipulim me votat e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e Prokurorisë, bëhet e ditur se pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht për Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, Prokuroria ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të Drejtave të Votimit.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’, nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin’ nga neni 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, 109 persona”, njofton Prokuroria.
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth 200 zyrtarë policorë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha se njëri nga 109 komisionerët e dyshuar, i cili është arrestuar për manipulim me vota në Prizren, ka pranuar që të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe të tregojë se në rastin që u hetua nga prokuroria pati edhe marrje e dhënie të ryshfetit.
Për shkak të parregullsive të mëdha të hasura në votat për kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e plotë të votave të 28 dhjetorit.

