Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së në Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar një ditë pas arrestimit të shtetasit kosovar, Mitehat Llozhanit, nga autoritetet serbe, duke kërkuar angazhim ndërkombëtar për këtë rast, transmeton Anadolu.
MPJD njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani, i cili u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë, janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
MPJD njofton gjithashtu se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit kosovar.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.
MPJD i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila sipas MPJD-së “vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Kosovës” duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Deri më tani është raportuar se shtetasit kosovar, autoritetet serbe i kishin gjetur kartën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

