Kosova i shpreh ngushëllime Turqisë pas rrëzimit të avionit ushtarak
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime pas rrëzimit të një avioni ushtarak turk në Gjeorgji, transmeton Anadolu.
Osmani, nëpërmjet rrjetit social amerikan X, ka shprehur ngushëllime duke thënë se Kosova qëndron me aleatin e saj, Turqinë, në këtë kohë të vështirë.
“Ngushëllimet tona të thella për Presidentin Erdogan, Forcat e Armatosura Turke dhe popullin e Turqisë pas rrëzimit tragjik të avionit ushtarak. Kosova qëndron në solidaritet me aleatin tonë, Turqinë, në këtë kohë të vështirë”, shkroi Osmani.
Në lidhje me aksidentin ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka shkruar në X: “Thellësisht të pikëlluar nga rrëzimi i avionit ushtarak turk që mori 20 jetë. Ngushëllimet tona të sinqerta u shkojnë familjeve të viktimave, Presidentit Erdogan, Qeverisë së Turqisë dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi”.
Sot më herët, një avion ushtarak turk i mallrave C-130, në udhëtim nga Azerbajxhani, u rrëzua në Gjeorgji.
Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, në avion gjendeshin 20 persona, përfshirë ekuipazhin e fluturimit.
Ministria më pas njoftoi se “Ekipet gjeorgjiane të kërkim-shpëtimit arritën te mbetjet e avionit në orën 17:00”, duke shtuar se mbetjet janë siguruar për ekzaminim nga ekipi turk i hetimit të aksidenteve.

