Kontraktorët amerikanë tregojnë se si hapën zjarr ndaj civilëve të pafajshëm në Gaza

Kontraktorët amerikanë tregojnë se si hapën zjarr ndaj civilëve të pafajshëm në Gaza

Kontraktorët amerikanë, të ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes dhe ruajtjes së pikave të shpërndarjes së ndihmave në Gaza, kanë përdorur municion luftarak, granata trullosëse dhe spraj djegës ndaj palestinezëve që përpiqeshin të siguronin ushqime.

Deklarata është bërë nga dy prej tyre, që kanë folur në kushte anonimati për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Ushtarakët privatë, të punësuar nga kompania amerikane “U G Solution” për të garantuar sigurinë në pikat e shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar në Gaza, i ofruan “Associated Press” dëshmi, video dhe mesazhe të shkëmbyera me kolegët.

Në disa prej pamjeve filmike shfaqen palestinezë që shtypen me njëri-tjetrin në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave dhe granatave trullosëse.

Kontraktorët kanë deklaruar se municionet reale janë përdorur në çdo qendër për shpërndarjen e ndihmave në Gaza, edhe në rastet kur nuk ka pasur kërcënime për sigurinë.

“Plumbat janë qëlluar nga të gjitha anët, përfshirë ndaj njerëzve që kërkonin vetëm të merrnin ndihma”, ka thënë një prej të intervistuarve.

Gjithashtu, në një video, një kontraktor dëgjohet teksa thotë se kishte mundësuar ardhjen e një tanku izraelit, si tregues force për të shpërndarë palestinezët.

Dy operativët që bënë përpara dhe rrëfyen episodet e dhunës thanë gjithashtu se e kishin bërë këtë pasi kishin mbetur të shqetësuar nga praktikat “e rrezikshme dhe të papërgjegjshme” të kolegëve të tyre.

MARKETING