Konservatori Friedrich Merz zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë

Konservatori Friedrich Merz zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë

Parlamenti i Gjermanisë ka zgjedhur konservatorin Friedrich Merz kancelar të ri të vendit në një raund të dytë votimi pasi në raundin e parë në mënyrë të papritur dështoi të sigurojë shumicën, raporton Anadolu.

Lideri 69-vjeçar u zgjodh nga deputetët e aleancës së tij konservatore CDU/CSU dhe partneri i tyre i vogël i koalicionit, Partia Social Demokratike (SPD).

Gjithsej 325 anëtarë të parlamentit votuan për Merz-in, ndërsa 289 votuan kundër tij në parlamentin prej 630 vendesh, ku nevojitej një shumicë absolute prej 316 votash për zgjedhjen e kancelarit.

Pengesa e papritur në raundin e parë ndodhi edhe pse koalicioni i Merz-it kontrollon 328 vende në Bundestag. Për shkak të votimit të fshehtë, mbeti e paqartë sa ligjvënës nga partitë e koalicionit votuan kundër zgjedhjes së tij në raundin e parë.

Pasi mori miratimin parlament, Merz u bë kancelari i 10-të i Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai e siguroi këtë pozicion pasi kristian demokratët e tij arritën një marrëveshje koalicioni me social demokratët pas zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurt.

Në qeverinë e re të koalicionit, aleanca konservatore CDU/CSU do të mbikëqyr portofolet thelbësore, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Ekonomisë.

Sipas marrëveshjes, social demokratët do të drejtojnë shtatë ministri, duke përfshirë financat, mbrojtjen dhe punën.

Kristian demokratët fituan zgjedhjet e parakohshme me 28,5 për qind të votave, por nuk arritën një shumicë të plotë. Megjithëse social demokratët regjistruan rezultatin e tyre më të ulët ndonjëherë, përkatësisht 16,4 për qind, ata dolën si një partner i rëndësishëm koalicioni për formimin e një qeverie me shumicë të qëndrueshme.

MARKETING