Konflikti në Lindjen e Mesme godet Formula 1, anulohen garat në Bahrein dhe Arabinë Saudite
Garat e Formula 1 në Bahrein dhe Arabinë Saudite që ishin planifikuar të zhvilloheshin në muajin prill pritet të anulohen këtë fundjavë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke e reduktuar sezonin e vitit 2026 në 22 gara.
Ky sport ishte planifikuar të zhvillonte raundin e katërt të sezonit në Bahrein nga 10 deri më 12 prill, përpara se të garonte në qytetin Xhedah të Arabisë Saudite një javë më vonë, nga 17 deri më 19 prill.
Megjithatë, të dy vendet janë ndër shtetet e Gjirit që janë goditur nga Irani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, në kuadër të konfliktit që po zhvillohet në rajon.
Sipas raportimeve të Sky Sports, garat në Lindjen e Mesme pritet të anulohen këtë fundjavë dhe ka shumë gjasa që nuk do të zëvendësohen në kalendarin tashmë të ngarkuar të Formulës 1, i cili zgjat nga marsi deri në dhjetor.
Kjo do të thotë se sezoni tani do të zhvillohet me 22 fundjava garash.
Siguria mbetet shqetësimi kryesor për Formulën 1 dhe për Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit, ndërsa situata në Lindjen e Mesme nuk është përmirësuar gjatë ditëve të fundit.
Meqë gjatë muajit prill nuk do të zhvillohen gara, do të krijohet një pauzë pesëjavore në kalendar mes Çmimit të Madh të Japonisë, që është raundi i tretë i sezonit dhe zhvillohet nga 27 deri më 29 mars, dhe Çmimit të Madh të Majamit, i planifikuar nga 1 deri më 3 maj.
Aktualisht, Formula 1 ndodhet në Shangai për Çmimin e Madh të Kinës, ku piloti George Russell ka siguruar vendin e parë në nisje për garën sprint të së shtunës në orën 03:00, përpara kualifikimeve të plota në 07:00 dhe garës së së dielës, e cila gjithashtu zhvillohet në 07:00.

