Komuna e Çairit dhe ajo e Gostivarit ndanë nga 1 milion denarë për tragjedinë në Koçan

Komuna e Çairit dhe ajo e Gostivarit ndanë nga 1 milion denarë për tragjedinë në Koçan

Me propozim të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, Komuna e Gostivarit ka miratuar sot një ndihmë financiare prej 1.000.000 denarësh për familjet e viktimave dhe të lënduarve të tragjedisë në Koçan, thuhet në njoftimin e Komunës.

Vendimi u mor në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës, e cila nisi me një minutë heshtje në nderim të 59 jetëve të humbura në zjarrin tragjik të 16 marsit.

“Tragjedia e Koçanit është një plagë e madhe, por edhe një sfidë që na udhëzon të jemi më të bashkuar. Falënderoj Këshillin e Komunës që përkrahu propozimin tim për të kontribuar me 1 milion denarë për familjet e të prekurve.

Dhimbja e tyre është çdo ditë në zemrat tona…”, shprehet Valbon Limani.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, u miratua një propozim për ndarjen e 1 milion denarëve për ndihmën e familjeve të viktimave të tragjedisë së tmerrshme që ndodhi në Koçan. Ky veprim i Këshillit të Komunës së Çairit është një shprehje e solidaritetit dhe angazhimit të komunitetit të Çairit në periudha të vështira, dhe një mesazh i fuqishëm që tregon se komuniteti qëndron i bashkuar në momentet e dhimbjes dhe nevojës.

Kryetari i Komunës së Çairit shprehu mirënjohjen dhe angazhimin e tij për t’iu ofruar mbështetje familjeve të prekura. Ai theksoi se kjo ndihmë financiare është vetëm një hap i parë dhe se Çairi do të vazhdojë të mbështesë individët dhe familjet që kalojnë në periudha të vështira. Kryetari theksoi se angazhimi i komunës do të vazhdojë dhe se çdo qytetar i komunës do të ndihet i mbështetur dhe i vlerësuar nga institucionet dhe bashkësia që e përfaqësojnë.

“Ky është një moment i vështirë për të gjithë ne, dhe si komunitet, është detyra jonë të qëndrojmë pranë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe të sigurojmë që çdo qytetar të ndihet i sigurt dhe i mbështetur,” tha Kryetari i Komunës së Çairit.

MARKETING