Komuna Arnavutkoy e Stambollit organizon program iftari në Maqedoninë e Veriut
Komuna Arnavutkoy e Stambollit organizoi program iftari në Komunën e Dollnenit në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Në iftarin me temë “Sofra e vëllazërisë nga Arnavutkyy për Ballkanin”, ku morën pjesë rreth një mijë persona, ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zëvendëskryeministri Bekim Sali, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe deputetë, politikanë, afaristë dhe shumë të ftuar të tjerë.
Kryetari i Kuvendit, Gashi, në fjalën e tij kujtoi se së fundmi kishte qenë mysafir në Komunën Arnavutkoy dhe se me kryetarin e komunës, Mustafa Candaroglu, kishin biseduar për organizimin e një iftari të përbashkët. Ai theksoi rëndësinë e takimit me qytetarët e Dollnenit, ku më herët nuk ishin organizuar aktivitete të tilla.
– “Do të vazhdojmë ta mbajmë gjallë trashëgiminë e vëllazërisë dhe drejtësisë që e kemi nga të parët tanë”
Kryetari i Komunës Arnavutkoy, Mustafa Candaroglu, në fjalimin e tij vuri në pah lidhjet shpirtërore mes Ballkanit dhe Turqisë. “Arsyeja e ardhjes sonë këtu sot është tregues i përgjegjësisë sonë historike. Do të vazhdojmë ta mbajmë gjallë trashëgiminë e vëllazërisë dhe drejtësisë që e kemi nga të parët tanë”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Dolnenit, Blerim Islami, tha se në këtë iftar nuk është ndarë vetëm buka, por është vulosur edhe një miqësi e madhe. Ai bëri të ditur se, me ndërmjetësimin e kryetarit të Kuvendit, Gashi, është nisur iniciativa për binjakëzimin e komunave Arnavutkoy dhe Dollnen, duke theksuar se kjo marrëdhënie e komunave binjake është dëshmi e solidaritetit dhe bashkëpunimit të frytshëm mes dy komunave.
Në kuadër të programit që Komuna Arnavutkoy po realizon në Ballkan, synohet që iftar të shtrohet për rreth 16 mijë persona.

