Komshiq në OKB: Dhuna ndaj palestinezëve në Gaza tregon elemente të gjenocidit

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, në fjalën e tij në debatin e përgjithshëm të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka deklaruar se dhuna ndaj popullsisë palestineze në Rripin e Gazës ka elemente të qarta të gjenocidit dhe paralajmëroi se bota nuk duhet të heshtë para këtyre krimeve, transmeton Anadolu.
Komshiq kujtoi se Karta e OKB-së lejon ndryshimin e kufijve shtetërorë vetëm me marrëveshje vullnetare mes shteteve, pa përdorim force ose presion politik që bazohet në forcën ushtarake. Ai gjithashtu paralajmëroi se imponimi i marrëveshjeve të tilla me dhunë është në kundërshtim me aktet e së drejtës ndërkombëtare.
“Në rastin konkret, mendoj për Ukrainën, e cila përballet me presione që të heqë dorë nga pjesë të territorit të saj për të ashtuquajturin paqe të qëndrueshme”, tha ai.
Ai theksoi se përdorimi i forcës për të ndryshuar kufijtë shtetërorë krijon një precedent të rrezikshëm në të drejtën ndërkombëtare, i cili mund të kthehet në praktikë të zakonshme dhe do të nënkuptonte një botë më të paqëndrueshme, ku paqja nuk ka më vlerë.
Duke e krahasuar këtë me situatën në Gaza, Komshiq tha: “Sot, kemi një situatë po aq të padëshirueshme në Rripin e Gazës, ku po ushtrohet dhunë e tillë kundër popullsisë lokale, forma e së cilës tregon ekzistencën e elementëve të shumtë të gjenocidit, siç përcaktohet në Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit”.
Ai akuzoi një pjesë të opinionit politik ndërkombëtar se mbyll sytë para kësaj të vërtete dhe e preu se heshtja është ose shenjë frike, ose shenjë miratimi.
Komshiq theksoi se gjenocidi nuk nënkupton vetëm zhdukjen fizike të një grupi kombëtar, etnik apo fetar, por edhe imponimin e kushteve të jetesës aq të rënda sa që mund ta zhdukin atë nga një territor i caktuar.
“Asnjë interes politik apo ekonomik, si shfrytëzimi i naftës apo gazit natyror, nuk mund të justifikojë një shkallë të tillë dhune ndaj popullit palestinez”, shtoi ai.
Duke iu referuar Bosnjës e Hercegovinës, Komshiq tha se pas embargos së armatimit gjatë viteve të 90-ta, sot vendi përballet me një “embargo ndaj demokracisë”. Sipas tij, disa akterë ndërkombëtarë përpiqen të ruajnë një sistem politik ku pakica sundon mbi shumicën, gjë që e kthen demokracinë në “etnokraci” dhe pengon zhvillimin normal demokratik.
Ai e mbylli fjalimin me thirrjen që shtetet të jenë të vendosura për të mbrojtur vlerat themelore të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, pa dallime mes tyre, duke paralajmëruar se indiferenca përballë krimeve dhe padrejtësive vetëm sa e rrezikon paqen botërore.