Kompania për Shpërndarjen e Rrymës në Kosovë nis shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti i energjisë

Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) në Kosovë ka bërë të ditur të shtunën se ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë.
Këtë paralajmërim e ka bërë më 13 gusht edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në të mirë të këtij institucioni, kur e ka shqyrtuar lëndën në të cilën është bërë kërkesë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
KEDS-i ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se 600 njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjera fizikisht te kompanitë, dhe që tashmë janë mobilizuar ekipet në gjithë Kosovën.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.
Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.
Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë thënë të martën se e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.
Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër./REL