Komiteti Evropian i Rajoneve heq përdorimin e fusnotës krahas emrit të Kosovës
Komiteti Evropian i Rajoneve ka hequr përdorimin e fusnotës krahas emrit të Kosovës, të cilën deri më tani e ka përdorur si “Kosovo*” në dokumentet e tij zyrtare, me qëllim që terminologjia të harmonizohet me atë të Parlamenti Evropian, transmeton Anadolu.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, tha se ky është një zhvillim shumë i mirë dhe i shumëpritur. “Republika jonë për një kohë të gjatë është përfaqësuar padrejtësisht në organizata ndërkombëtare me një emërtim të tillë jozyrtar, i cili erdhi si rezultat i dialogut të dikurshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se “heqja e kësaj padrejtësie përbën një hap të rëndësishëm përpara në fuqizimin dhe afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare”.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, e mirëpriti këtë vendim duke theksuar se ky hap e afron këtë institucion me qëndrimin e Parlamentit Evropian dhe sjell më shumë qartësi institucionale në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës.
“Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës”, ka shkruar ai.
Konjufca ka shprehur falënderim të veçantë për Gillian Coughlan, kryetare e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin e Rajoneve dhe raportuese për zgjerimin, për mbështetjen e saj parimore dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën.
Në shkurt të vitit 2012 në Bruksel u arrit marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës, ku sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova në organizata dhe takime rajonale do të paraqitej si “Kosovo*”, me një fusnotë shpjeguese.

