Komisioni hetimor i OKB-së konkludon se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza

Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, tha Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe Izraelin në një raport historik të publikuar të martën.
Komisioni i kërkoi Izraelit dhe të gjitha shteteve të përmbushin detyrimet e tyre ligjore sipas ligjit ndërkombëtar për të “i dhënë fund gjenocidit dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për të”.
Pas dy vitesh hetimesh mbi ngjarjet që nga 7 tetori 2023, komisioni arriti në përfundimin se autoritetet dhe forcat e sigurisë izraelite kryen “katër nga pesë” aktet gjenocidale të përcaktuara sipas Konventës së vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit – vrasje, shkaktim dëmtimesh të rënda trupore ose mendore, shkaktim të qëllimshëm të kushteve të jetesës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të palestinezëve dhe vendosjen e masave që synojnë parandalimin e lindjeve.
Deklaratat eksplicite nga autoritetet civile dhe ushtarake izraelite dhe modeli i sjelljes së forcave të sigurisë izraelite tregojnë se aktet gjenocidale u kryen “me qëllim shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, të palestinezëve në Rripin e Gazës si grup”, thuhet në raport, citon Anadolu.
“Komisioni konstaton se Izraeli është përgjegjës për kryerjen e gjenocidit në Gaza”, tha Navi Pillay, kryetarja e misionit të mbledhjes së fakteve. “Është e qartë se ekziston një qëllim për të shkatërruar palestinezët në Gaza përmes akteve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Konventën e Gjenocidit.”
Sipas Navi Pillay, kryetares së komisionit, përgjegjësia për krimet mizore bie mbi “autoritetet izraelite në nivelet më të larta, të cilat kanë orkestruar një fushatë gjenocidale për gati dy vjet tani me qëllimin specifik për të shkatërruar grupin palestinez në Gaza”.
Komisioni tha se Presidenti izraelit Isaac Herzog, Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë nxitur gjenocid, ndërsa deklaratat e udhëheqësve të tjerë politikë dhe ushtarakë duhet të shqyrtohen gjithashtu.
Pillay theksoi se Izraeli ka “shpërfillur në mënyrë flagrante urdhrat për masa të përkohshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe paralajmërimet nga shtetet anëtare, zyrat e OKB-së, organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet e shoqërisë civile” dhe se autoritetet “nuk kishin ndërmend të ndryshonin rrjedhën e veprimeve të tyre”.
Komisioni u bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së që të ndalojnë transferimet e armëve në Izrael, të sigurohen që korporatat nën juridiksionin e tyre nuk po ndihmojnë ose asistojnë gjenocidin dhe të kërkojnë llogaridhënie përmes hetimeve dhe procedurave ligjore.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të heshtë ndaj fushatës gjenocidale të nisur nga Izraeli kundër popullit palestinez në Gaza. Kur dalin shenja dhe prova të qarta të gjenocidit, mungesa e veprimeve për ta ndaluar atë përbën bashkëfajësi”, tha Pillay.
Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 65,000 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe ekspertët kanë shpallur zi buke atje.