Komisioni Evropian ndërpret të gjitha pagesat për palestinezët pas sulmit të Hamas
Komisioneri i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi tha sot se blloku ka ndërprerë “menjëherë të gjitha pagesat” ndaj palestinezëve prej asaj që quajti “masa e terrorit dhe brutalitetit” të sulmit të Hamas në Izrael.
Nuk kishte qartësime nëse lëvizja përfshinte të gjithë ndihmat humanitare për palestinezët.
Varhelyi shtoi se masa përfshinte “ndalimin e të gjitha pagesave, rishikim të projekteve dhe propozimeve të buxhetit … deri në një njoftim të mepasshëm.”
BE thotë se është donatori më i madh për palestinezët dhe se mbron zgjidhjen e konfliktit ‘me dy shtete’, që ka qenë linja kryesore e BE, që prej akordit të Oslos në 1993 mes Izraelit dhe Organizatës së Çlirimit të Palestinës.
Ministrat e jashtëm evropianë pritet të takohen në kryeqytetin e Omanit, Muscat, nesër për të diskutuar situatën.
Varhelyi shtonte se gjërat do ndryshojnë.
“Tashmë duhet të trajtohet baza për arritjen e paqes dhe bashkë-ekzistencës. Nxitja e urrejtjes dhe lartësimi i terrorit ka helmuar mendjet e shumë njerëzve”, shkruante komisioneri.
Sot komisioni Evropian përpiqej të bënte një vijë ndarjeje mes Hamas, të cilin e konsideron terrorist, dhe popullit palestinez, të cilët janë në nevojë për ndihmë humanitare.
BE tha se ka dhënë ndihmë humanitare për nevojat bazë palestinezëve prej vitit 2000 me agjencitë e saj dhe të OKB, në rreth 700 milionë euro për Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Vendimi u mbështet nga Gjermania dhe fqinji saj Austria, që thanë se po pezullonin projektet e zhvillimit për zonat e Palestines.
Gjermania shtonte se nuk do të ndërpresë ndihmën humanitare që jep me anë të OJQ-ve ndërkombëtare dhe OKB, tha zëdhënësi i ministrisë Christian Wagner duke shtuar se shumica e 72 milionë eurove të zotuara për këtë vit ishin paguar dhe puna do të vijonte.
Austria tha se do të rishikojë projektet për Palestinezët dhe do të konsultohet me partnerët.